Site icon PrishtinaPress

Valon Berisha: Miqësore shumë të rëndësishme, luftojmë për rezultate pozitive

I rikthyeri në Kombëtare, Valon Berisha, është shprehur se ndeshjet e marsit, janë shumë të rëndësishme dhe se kërkojnë rezultate pozitive, pasi ato sipas tij ndikojnë direkt në atmosferën brenda grupit.

Ai tregoi për planin stërvitor deri më tani, teksa tha se rëndësia e miqësoreve të marsit qëndron te krijimi i një atmosfera të mirë brenda grupit dhe adoptimi me stilin e ri të trajnerit.

“Dy miqësore shumë të rëndësishme. Normalisht trajneri i ri, nisim një grumbullim të ri dhe kemi nevojë me nis me një atmosferë të mirë në grup, me kriju atmosferë brenda ekipit, plus që të kuptojmë stilin e trajnerit, kështu duhet t’i shfrytëzojmë këto dy miqësore, pra në krijim të grupit, stilin që ka në qejf trajneri dhe ta kuptojmë secili njëri-tjetrin, që të jemi sa më të fortë kur të nisin kualifikimet.”

Mesfushori yll i Kosovës, tha se trajneri e ka filluar menjëherë implementimin e stilit të tij të lojës, duke përgatitur ekipin në mënyrë taktike.

“Stërvitja e parë ka qenë më e lehtë, sepse lojtarët kanë ardhë nga rruga, kishim mundësi të luajmë më shumë me topin, ndërsa sot ishte stërvitje e koncentruar në taktika. Për nesër është në plan loja defenzive, se si kemi me u mbrojt. Trajneri ja ka nisë menjëherë me mënyrën se si ka dëshirë me lu, stilin e tij dhe normal neve na takon të adaptohemi sa më shpejt.”

Berisha në fund tha se rezultatet janë shumë të rëndësishme në këto miqësore për vazhdueshmërinë e Kombëtares së Kosovës.

“Janë ndeshje miqësore, por janë shumë të rëndësishme. Është mirë të marrim rezultate pozitive menjëherë se krijohet atmosferë e mirë brenda grupit, kështu që kemi dy lojë shumë të mirë, sidomos me Hungarinë që janë shumë të fortë të cilët luajnë në Evropian. Janë dy ekipe që mundemi me pa ku jemi, sidomos me trajnerin e ri dhe të shohim pak a shumë se ku jemi.”

Exit mobile version