Site icon PrishtinaPress

Vaksinimi antiCOVID, masiv apo aq sa ka në stok?

Një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës u zhvilluar replikë e ashpër mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu lidhur me procesin e vaksinimit antiCOVID.

Deputeti Haxhiu tha se në vend nuk ka vaksinim masiv dhe kritikoi ministrin për mosbërjen publike të çmimit të blerjes së vaksinave nga kompania Pfizer.

Ai e ka akuzuar Vitinë se i ka gënjyer qytetarët për vaksinim masiv.

“MSH-ja në stok ka më pak se 12 mijë vaksina, kur ende nuk e kemi asnjë vaksinë të Pfizer. Pse keni gënjyer dhe mashtruar qytetarët për vaksinim masiv? Si mund të llogaritet të përfundojë vaksinimi kur ato të kontraktuara nuk mjaftojnë për vaksinim të 60 për qind të popullatës?”, ka thënë ai.

Por, ministri Vitia në fjalimin e tij një ditë më parë në Kuvend tha sot se procesi i vaksinimit masiv po vazhdon dhe bëhet varësisht dozave të vaksinave që kanë në stok, ndërsa tha se javën e ardhshme do të vijë kontingjenti i parë i vaksinave nga Pfizer dhe vaksina tjera.

Vitia tha se nuk mund të tregojë për çmimin e blerjes së vaksinave sepse është konfidenciale.

“Për ofendimet nuk mund të them njëjtë, të mbetet në ndërgjegjen tuaj. Kam nënshkrua kontratën me kompaninë Pfizer për më shumë se 1.2 milion vaksina dhe unë nuk gënjej…”, tha Vitia, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, pse nuk po e tregon çmimin e blerjes së vaksinave.

“I nderuar deputet, jam ministër dhe detyrë primare është kujdesi për qytetarët tanë në këtë kohë pandemie. Asnjë presion nuk do të më devijoj nga ky mision, e as ofendimet tuaja. Nuk kam mundur t’ju tregoj atëherë për çmimin e blerjes së vaksinave dhe as sot nuk mund të tregoj. Por ju garantoj se do t’ju befasoj vetëm për të mirë”, tha ai.

Siç tha Vitia “në asnjë rrethanë nuk ka forcë që më detyron të nënshkruaj diçka jashtëligjore e në dëm të interesave të qytetarëve”.

Duke folur për procesin e vaksinimit, Vitia tha se “është shumë e vërtetë se jemi vonë… Përkundër rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit shumë kisha dashtë që Qeveria Kurti 1 të vazhdonte dhe të jesh i bindur se ky proces do të ishte para përfundimit. Atë që nuk ka bërë qeveria paraprake për shtatë muaj ne kemi bërë për dy muaj”.

Sipas tij, më 15 qershor ka filluar vaksinimi në masë dhe brenda ditës kanë arritur përafërsisht të vaksinojnë mesatarisht 8 mijë qytetarë dhe kjo siç tha ai tregon se brenda muajit mund të vaksinojnë rreth 400 mijë qytetarë.

“Procesi i vaksinimit bëhet sipas dozave në stok. Një muaj mund t’i kemi 500 mijë, muajin tjetër 200 mijë. Ju njoftoj se në javën tjetër vijnë vaksinat nga Pfizer dhe vaksina tjera”, tha ai.

Ndryshe, edhe nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Telegrafin kanë thënë është duke vazhduar procesi i vaksinimit antiCOVID dhe kjo shihet në bazë të numrit që publikohet çdo ditë.

Më tej thonë se kontingjenti i parë i vaksinave nga marrëveshja me Pfizerin do të vijnë gjatë javës së ardhshme.

Exit mobile version