Site icon PrishtinaPress

Utopi

Shkruan: Albulena Krasniqi

Ishte nata e pestë me radhë që po shihja ëndrrën e njëjtë. Kisha ankthe tërë natën. Atëherë kur duhej të isha i fjetur, unë isha i zgjuar, por jo tamam i zgjuar, ngase ndërvetëdija ime ishte e stërlodhur. I djersitur i tëri mora peshqirin që të fshija djersët e trupit, ngase mendjen nuk arrija dot ta fshija. Buzët më ishin tharë dhe zemra donte t’më dilte nga kraharori. Mora librat dhe duke kërkuar me ngulm diçka që tregonte për ëndrrat, disa i rrëzova nga raftet. Po vdisja për gjumë. Trupi im kishte filluar të anonte andej ku kisha dashur t’jem që kohë. Nuk e di ç’po kërkoja! Ky ndryshim metamorfozial i imi më ishte shndërruar në animizëm! “Jam unë Nikola”! “Nuk po të njoh më. Je djall i hyrë në trupin e tim biri!” “Jo-jo, ndal, s’mund të shkelësh në tokën tonë të bekuar, me gjakun tënd të fëlliqur!”

Mbulova kafkën me duart që më dridheshin. Gjeta veten në kishë edhe pse nuk ia them për rite fetare në ato momente s’dija ku të shkoja! Luta zotin që katarsisi shpirtëror të mbërthente zemrat e njerëzve. Kishte kohë që vetëm frymoja dhe në çdo gjuhë, përkthehesha si tradhtar! “Ju bën apologjinë ti atyre!” Shfryhej plot vrer secili njeri që dëgjonte se unë nuk i urreja dot qeniet njerëzore. Kur isha i vogël, nuk kisha menduar kurrë që bota ndërton themele mbi gjak. Nuk e dija se arti i njeriut është pushteti. Spastrimi është emblemë krenarie. Sa më irritonte mënyra e vrasjes. Edhe më shumë se vrasja. Psikoza u ishte zhvilluar thellë, kjo vërehej nga shikimi tronditës i disave. Prapë volla, s’kapja dot pushkën, urreja duart e gjakosura. S’ka në botë, dezinfektues që pastrojnë shpirtin, thosha me vete. Se unë me veten flas më shumë se me të tjerët. Vdekja s’duhet të vonojë shumë, çdo gjë e bërë më shpejt, dhemb më pak. Eja të ikim nga kjo botë e hiçit. Mos më le vetëm. Prapë dola nga shtëpia i nervozuar. Prindërit duan shumë që fëmija i tyre të luftoj me dinjitet, në një luftë pa dinjitet! Ata duan që duart e pastra, të njollosen. Nga damarët të pompoj gjak i qelbur. Kisha lexuar shumë, por në asnjërën libër nuk mësohej urrejtja më e thellë sesa nga njerëzit që s’lexonin fare. Që nga fëmijëria më mësonin se si t’i urreja njerëzit. Dhe babi më mësonte artin e pushkës, thënë më saktë, artin e vrasjes. Ideali kryesor ishte të urreja ata, por kurrë pa e ditur pse. A ka arsye për të urryer njerëzit?! Grushtoja tavolinën, dhe pluhuri i saj më kthente pas në kohë. Copëza memoriesh më vlonin kokën. Unë mund të jetoj vetëm në atë tokë ku s’do të ketë gjurmë varresh. Rënkoja, pse jam i vetëm, pse nuk kam shokë?! Ti, kështjella e ndërtuar mbi iluzione dëlirësuese! “Gjithmonë ke qenë frikacak, mbylleshe në dhomë, dhe lexoje si vajzë!” Paragjykimi ishte çdoherë arma jote më e fortë! Inkuizicioni i tij ishte i njohur! Ata flasin gjuhën e urrejtjes, dhe njohin fenë e djallit! Sot mësova një fjalë në gjuhën shqipe, fjalën paqe! Ah sa ëmbël më tingëlloi në vesh kjo fjalë! E them kudo, dhe të gjitha orenditë më duartrokasin! “Mosni ju lutem!” “Eja blasfemues, po tradhton kombin!”

“Sot erdhi njëfarë Nikola Stefanovič, dhe kërkoi paqe!” “Belbëzonte shqip” E shqeu këmishën, i skuqur në fytyrë, venat i ishin fryrë, thua se do t’i plasnin, dhe do të mbushte me gjak tërë vendin e tij, vetëm gjak kudo, fundja, për këtë jetonte ai! E urrente emrin e tij, e kishte të njëjtë me të! Rrënja Ilire rrihte n’damarët e tij, me plot mllef ndaj armikut shekullor! “Jemi të tillë ne shqiptarët, këmbëngulës në ideologjitë tona!” “A thua vallë pse e kemi të njëjtin emër, unë dhe ai serb i mallkuar, që rendet nëpër shtëpitë e shqiptarëve, për të thëne diçka, në fakt asgjë s’tha, belbëzoj në gjuhën time të ëmbël!” “Ndoshta sepse ti nuk e lejove të shprehej, i dashuri Nikollë, ti dhe urrejtja jote e tepruar!” ” E tepruar thua ti?!” “Ndoshta u nguta pak me mënyrën e të shprehurit, por ai dukej, huuh, ashtu, si ta them, pra dukej një njeri i mirë! “ “Çfarë the ti moj grua, më vjen të të mallkoj, por se bëj dot. A të ka ikur mendja, apo e ke nga pasojat e bëmës së tyre?! A nuk të kujtohet se më kë ka luftuar burri yt, a se di se kush më la të gjymtë përjetë?! Kush ia preu lisit rrënjët?! Mos qaj tani, unë s’jam viktima e momentit tënd. Shpejt i paske harruar plagët! Pse nuk e ftove brenda, kanuni të lejon, bëje , shko çjerru rrugëve, vrapo e ndoshta e gjen serbin, bëj konak, se miku nuk kthehet nga dera, ai është sinonim i Zotit! Fute n’gji armikun, që preu këmbët e me to edhe lirinë! Mos dënesë këtu si e gjorë, shko dhe mësoja mirë shqipen, thuaj harroje atë fjalë që e di, mësoja fjalët më dinake, e të tmerrshme, ato që ata i gatuajnë më së miri!” Pastaj uli kokën poshtë, dhe s’lëshoi asnjë fjalë nga goja, ato konvertoheshin në pasthirrmat që lëshonte pa dashje! Mëngjesi i së nesërmes iu duk se nuk do të zbardhte fare. Kokërdhokët e syve sikur i kishin dalë nga vendi, ngaqë ende kishte mllef ndaj gruas së tij! Kafja nuk gëlltitej, diçka e ngushtonte në kraharor, mori frymë thellë, dhe u lut të ishte e fundit! Jeta pas luftës, nuk ishte ashtu siç ka shpresuar Nikolla! Njerëzit sikur ishin egërsuar, njëlloj si tokat e mbetura djerrë, shkrumbi i tyre dukej se digjte zemrat e të mbijetuarve! Lindi mëngjesi, diell s’kishte, mjegulla po lundronte e qetë. Që moti e kishte gllabëruar mjegulla atë vend, dhe më s’po mundje të dalloje as fytyrat e njerëzve! Ato ngjanin si karikatura, të zhanreve dramatike, melodi kjo që kurrë s’është larguar, rrënjët ishin kalbur!

Pas terapisë që më dhanë, ndihesha i qetë në dhomën time të vockël, e lyer me ngjyrë të bardhë, që të verbonte! E di, ndonjëherë ndihem vetja, vetëm! Mos më fol pasqyrë, ti nuk je e vërtetë, unë të kam krijuar! Më kanë quajtur të marrë, por nuk e di si konceptohet një qenie e marrë? Pse nuk mundem të vras, të urrej, apo pse nuk jam shqiptar?! Reciprociteti pasqyrë, ai luan rolin kryesor në jetë! Ha-ha-ha, mos më kthe asnjë fjalë, më injoro të tërin, vazhdo bëje, se unë ashtu jam ndjerë çdoherë! Prindërit më kanë mbyllur në zgavër, më dinë të çmendur, ngase s’u kam ngjarë atyre ! Kur më panë tek po lexoja historinë e armikut, thirrën priftin e katedrales së ,,Shën Nikollës”, për të ma bërë ekzorcizmin. Ata që nevojën ia kishin! S’do dilte asgjë nga unë, trupi im personifikohej me lulet e kopshtit të Edenit. Tabloja e asaj dite s’më hiqet nga mendja! Lëvizjet zig-zage të trupave të tyre, ofshamat, ishin shenjë e një frustracioni që kishte kapluar mendjet e ushqyera me urrejtje, të lindura për të kryqëzuar.

I madhi: Sa lehtë i largoj nga kjo botë shiko! I vogli: Çfarë t’bëri?! I madhi: Aaihhh, edhe ti çka pyet, po s’e duroja dot si sillej vërdallë me ata krahë t’çalë, e trullosur, e ngadaltë! I vogli: Pse?! I madhi: Po lëri këto llafe, sa i vonuar që je! Unë mundem, e kam fuqinë që ta mbys një flutur të kotë, t’lutem lëre me kaq, a thua do t’i organizosh funeralin, vazhdo bëje! I vogli largohet i dëshpëruar, duke murmuritur me vete fjalët e vrasësit ironik! Dhe me mllef, duke mallkuar veten pse është njeri!

Mbeta duke e lavdëruar veten, gjithsesi fjala ime nuk merret seriozisht, ngase jam i çmendur, kështu të paktën më thonë të gjithë, tani e besoj edhe unë! Çdoherë kështu kanë qenë njerëzit me mua! Me duar largova perden nga dritarja e dhomës sime të bardhë pa dritare, dhe pashë Nikollën që po vinte drejt meje. “Zgjate dorën e pajtimit”- më tha në gjuhën serbe. “Ke besën e shqiptarit se unë do të të pranoj në shtëpinë time si mikun më të mirë, dhe do të të nderoj për njëmendësinë e fjalëve që rrodhën nga goja jote!” U shtanga, gjuha më dridhej dhe s’po mundja dot të flisja! Mu duk se nënshkrova kontratën e paqes në botë! Nuk meritojnë të ndëshkohen të gjithë, për fajin e disave! Pastaj më mori nga krahu dhe shkuam bashkë në kishë, madje ishim vonuar paksa për meshën e së dielës! Më mbaruan barnat, duart i kisha të gjakosura nga prangat e nihilistëve.

Exit mobile version