0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Ushtrohet ankesë kundër vendimit për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve për aferën e rezervave shtetërore

Mbrojtja e të dyshuarit për rastin e aferës së rezervave shtetërore- zyrtarit Irfan Lipovica, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Lipovicës, zyrtarit Hafiz Gara dhe biznesmenit Ridvan Muharremi, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ankesë do të ushtrojë edhe mbrojtja Muharremit dhe ajo e Garës.

Mbrojtësi i të dyshuarit Irfan Lipovica, avokati Feim Alaj, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se bashkë me avokatin Durim Osmani, kanë ushtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores.

Kurse, mbrojtësi i të dyshuarit Ridvan Muharremi, avokati Mahmut Halimi, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se gjatë ditës do të ushtrojë ankesë lidhur me masën e paraburgimit për të mbrojturin e tij.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të dyshuarit Hafiz Gara, avokati Bekim Kelani, bëri të ditur se do të ushtrojë ankesë kundër vendimit të Themelores për caktimin e masës së paraburgimit për të mbrojturin e tij.

Ndryshe, vendimin për caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka marrë më 19 gusht 2023, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurit I.L dhe H.G për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i pandehuri R.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Themelores.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht më 19 gusht për dosjen e Prokurorisë ndaj tre të dyshuarve në rastin e dallavereve me rezervat e shtetit, ku thuhet se 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer në vlerë mbi 600 mijë euro nuk erdhën në Kosovë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale nisi më 18 gusht 2023, në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi. Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.

Mirëpo, Gzim Shala, hulumtues i lartë në  Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shpjeguar se në rastet kur bazuar në kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale gjykata lëshon urdhër për kontroll të shtëpisë apo personit, nuk është fare relevant fakti nëse provat e sekuestruara përmes të cilave synohet provimi i veprës penale janë ose jo të klasifikuara.

Po ashtu, Kryeministri Albin Kurti kishte publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Ka thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.

Gjuhë të njëjtë ka përdorur edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sistemi i drejtësisë po synon ta rrëzojë Qeverinë Kurti me spektakle. E akuza për Prokurorinë Speciale hodhën edhe ministra e deputetë tjerë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. /BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img