Site icon PrishtinaPress

Ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën: ShBA-ja, Britania e NATO-ja në alarm – BE-ja hesht

E diela e 24 shtatorit shënoi sulmin terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë e të shtënave mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë heroi, Afrim Bunjaku, dhe u plagosën dy pjesëtarë të tjerë të PK-së. Megjithatë, ky aksion i Policisë, të cilët tashmë shaktërruan këtë grup, po cilësohet si më i suksesshmi që nga paslufta.

Siç njoftoi dje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Policia është përballur me mbi 80 terroristë, ndryshe nga 30-40 sa ishte raportuar në fillim, e që pavarsisht kësaj shifre edhe pse më të pakët në numër dhe në armatim ia dolën të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme.

Në krye të këtij grupi, Millan Radoiçiq dje nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor, Goran Petronijeviq, tha se qëndron vetë, teksa Policia e Kosovës, qysh në orët e para të ditës së djeshme, nisi një aksion për bastisjen e pronave të tij, ku u konfiskuan disa automjete.

Situata e sigurisë në vend nuk duket të jetë e qetë, ndonëse që nga e diela e javës së kaluar nuk ka tensione në atë pjesë. Edhe Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, tha dje se situata në veri aktualisht është më e qetë, por se ende është “thellësisht e paqëndrueshme”.

Këto deklarime i mbështeti në një konferencë për media Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, i cili shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimi [i grumbullimit të trupave ushtarake serbe], nuk mund ta them tani”, tha ai.

Megjithatë, Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese.

Kirby tha se gjatë bisedës që Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet.

Kirby tha se incidentet e dhunshme, sikurse ai i majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe ai në Banjskë, paraqesin rrezik jo vetëm për personelin e sigurisë së Kosovës, por edhe të NATO-s.

“Ky cikël shqetësues i dhunës është përkeqësuar”, tha ai.

Edhe Ndihmësi i Presidentit Biden për Çështje të Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan ka biseduar gjatë ditës së djeshme në telefon me kryeministrin Albin Kurti.

Ai, sipas njoftimit zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, “shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën”.

“Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”, citohet të ketë thënë Sullivan në këtë telefonatë me Kurtin.

Në ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka transferuar komandën e një batalioni të ushtrisë së saj në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje në Kosovë nëse kërkohet.

“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë, ne kemi transferuar komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit – një forcë rezervë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) – në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje nëse kërkohet”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

Po dje, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se është marrë vendimi për shtimin e numrit të forcave të NATO-s në Kosovë.

Ky komunikim i shefit të NATO-s u bë publik dje pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut ku u diskutua për situatën në Kosovë.

“Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale”, tha Stoltenberg.

Nga BE-ja deri më tani nuk ka ndonjë reagim në lidhje me vendosjen e ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën. Deklarimi i fundit nga Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka të bëjë me mundësinë e vendosjes së masave ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa u pyet në një intervistë për Al Jazeera, se a kanë ndonjë informacion të inteligjencës për sulme të reja, u përgjigj duke thënë se nuk përjashtohet ri-agresioni.

Këtë Kurti e vlerëson në bazë të, siç shprehet ai, informacioneve të shumta që ka se këto “grupe të armatosura”, të cilave Forcat e Armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armë dhe municion, janë duke kryer vazhdimisht stërvitje në afërsi të kufijve të Kosovës dhe “po përgatiten për luftë”.

“Nuk përjashtohet ri-agresioni”, ka thënë ai, duke shtuar se Serbia donte që lufta të fillonte të dielën.

“Ashtu siç Rusia zhvilloi një luftë hibride në Ukrainë në fillim, Serbia po bën kundër nesh”, shtoi ndër tjera kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Exit mobile version