Pas dorëzimit të projektligjit për transformimin e FSK-së në Ushtri nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi tek kryeparlamentari Kadri Veseli ka pasur reagime nga Ambasada e Amerikës në Kosovë si dhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth këtij propozimi.
Pas kësaj deklarate, presidenti Thaçi përmes një konference për media theksoi se Ushtria e Kosovës është nisur dhe do të përfundojë.
Por, a do e rrezikonte kjo miqësinë që e ka Kosova me Amerikën?
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani për Indeksonline thotë se Institucionet vendore në asnjë çast nuk duhet ndalur në përpjekjen e tyre për transformimin e FSK-së, por kjo duhet të bëhet në partneritet me SHBA-në dhe NATO-n.
“Besoj se përpjekjet e gjithanshme për të ndërtuar argumentet e qëndrueshme dhe për të bashkërenduar veprimet institucionale janë të nevojshme. Nuk duhet ndalur përpjekjet për koordinim dhe për ndërtim të momentumit të vlefshëm për transformimin e FSK-së. Ky momentum duhet të krijohet gjithsesi në partneritet me SHBA-në dhe NATO-n, duke pasur gjithnjë në vendosmëri institucionale rrugën e Kosovës drejt integrimit në NATO dhe marrëdhënieve speciale me SHBA-në”, ka thënë Ramadani.
Mirëpo, ai tregon se si mund të arrihet e gjithë kjo.
“Duhet zhvilluar sa më shumë dhe sa më intensivisht bashkërendimin e veprimeve institucionale me partnerët strategjikë, në rend të parë me SHBA-në dhe pastaj me NATO-n. FSK ka përmbushur të gjitha kapacitetet operacionale dhe është e gatshme të fillojë. Ajo që vlen për të gjithë është se Kosova duhet ta ketë ushtrinë dhe mbështetjen ndërkombëtare. E vetmja mundësi për ta ndërtuar misionin ushtarak të FSK-së është që të gjitha institucionet t’i vazhdojnë përpjekjet. Me një fjalë, duhet edhe Ushtria, edhe mbështetja amerikane”, ka shtuar ai.
ndryshe, iniciativën e Thaçit e ka mbështetur edhe Qeveria e Kosovës. Kryeministri, Isa Mustafa gjatë një deklarate në ditën e sotme ka thënë se themelimi i Ushtrisë së Kosovës nuk duhet të mbetet peng i Serbisë.