Keni dëgjuar për Dietën e Trurit? Bëhet fjalë për një regjim ushqimor të shëndetshëm për trurin dhe zemrën.
Tre vjet më parë, një grup ekspertësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpiluan pikat kryesore të këtij regjimi që synon të mbrojë trurin nga sëmundje si Alzheimeri. Vendimi erdhi pas zbulimit të një lidhje të fortë mes ushqimit dhe shëndetit të trurit.
Çfarë është ushqyerja për trurin?
Ky regjim ushqimor ka si objektiv parandalimin e sëmundjeve nervore dhe ato kardiovaskulare. Theksi qëndron tek drithërat e plota, produktet e bulmetit pa yndyrë, kripa e kufizuar, perimet, frutat, arrorët dhe proteina. Ushqime të tilla të shëndetshme synojnë të mbrojnë zemrën dhe trurin nga sëmundjet.
Ushqimet për trurin dhe zemrën
Sipas studiuesve, çdo ditë njeriu duhet të hajë një sallatë me barishte, një racion me perime, tre racione me drithëra të plota. Në shumicën e ditëve të javës, njeriu duhet të hajë arrorë, fasule, bishtajore. Mishi i shpendëve dhe frutat e pyllit, veçanërisht boronicat dhe luleshtrydhet, duhen ngrënë dy herë në javë, ndërsa peshku një herë në javë.Vaji i ullirit duhet të jetë yndyra e vetme që mund të përdoret në gatim.
Po mishi i kuq?
Mishi i kuq duhet ngrënë shumë rrallë ndërsa për gjalpin sa më pak. Një racion djathë duhet konsumuar një herë në javë, ndërsa ushqimet e skuqura, të shpejta, ëmbëlsirat e blera në market nuk duhen konsumuar.
Lidhja mes trurit dhe stomakut
Truri dhe stomaku janë të lidhur fort me njëri tjetrin, ndaj ushqimet që hamë kanë një ndikim të madh tek truri. Përveç ushqyerjes, duhet të siguroheni të mbani një trup dhe një mendje aktive, të flini siç duhet, të përpiqeni të mos stresoheni./Prishtinapress/