Shkruan: Daut Dauti
Ilustrimi që shihet në këtë postim quhet ‘Bullgar-ngrënësi’. Këtu shihet se si një ushtar grek është duke e kafshuar në fytyrë një ushtar bullgar në njërën nga betejat që Greqia dhe Bullgaria zhvilluan kundër njëra tjetrës gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913. Ky ilustrim ka qenë një poster, i cili është botuar me të madhe gjatë kësaj kohe në gazetat greke, por edhe është vendosur në muret e ndërtesave publike, kudo në Greqi. Posteri paraqet një urrejtje të papërshkrueshme e që ka karakter kanibalizmi: greku duke e ngrënë bullgarin. Deri në këtë pikë kishte shkuar urrejtja.
Pra, grekët nuk i kanë urryer vetëm shqiptarët. Në fakt, pas vitit 1878, kur Bullgaria u bë autonome, grekët e shtuan urrejtjen ndaj bullgarëve. Kjo ishte për shkak se tashti bullgarët për grekët ishin rrezik më i madh se shqiptarët, pasi që pas Bullgarisë qëndronte Rusia. Me këtë, idenë panhelene e rrezikonte seriozisht ajo pansllave.
Kur në vitin 1897 Greqia pësoi disfatë katastrofale nga otomanët në luftën 30 ditëshe, Greqia, tashti e dobësuar, më shumë frikohej nga bullgarët se otomanët. Për këtë arsye gazeta greke ‘Empros’ që botohej në Athinë, shkruante:
‘Armiqtë e tanë, të bashkuar nga ideja pansllave, e cila promovohet nga fuqia e Veriut [Rusia], janë duke u orvatur me planet e tyre që ta zhdukin helenizmin sa më shpejt që është e mundshme. Ne, për fat të keq, do ta ndihmojmë përmbushjen e këtij plani nëse dështojmë të këndellemi mentalisht nga humbja që kemi pësuar’.
Në vitin 1904, në Athinë u botua libri ‘Bullgarët dikur dhe sot’ kurse autori ishte anonim. Siç shkruan historiani grek Adamantios Theodor Skordos, ky libër paraqiste mendimin e shumicës së grekëve që ishte në fakt një urrejtje e papërshkrueshme ndaj bullgarëve. Bullgarët u përshkruan si ‘përbindësha gjakpirës’ të cilët janë ‘të fëlliqur dhe kundërmojnë erë të rëndë sikur paraardhësit e tyre që kanë jetuar në stepat e Sibirit’. Më tutje, libri i përshkruan bullgarët si ‘njerëz trashalluq, të vegjël, të zinj, hundëpetë, me faqe të fryra dhe syvëngër’. Si shtesë, ‘bullgarët ishin një popull hordhi të mallkuar nga Zoti’. U kishin shërbyer hunëve dhe kishin edhe vesin e ‘qenit’ apo ‘zagarit’ e që ishin edhe ‘racë e fëlliqtë tataro-mongole’. Përshkrimi i këtillë, racist dhe jonjerëzor për bullgarët, vazhdon në pafundësi. Bullgarët përshkruheshin kështu për shkak se e kishin përqafuar idenë pansllave.
Një qëndrim i këtillë jonjerëzor ka qenë i përqafuar edhe nga shumë intelektualë grekë të asaj kohe. Në vitin 1903, rektori i Universitetit të Athinës, Neoklis Kazazis, mbajti një varg ligjëratash dhe i përshkroi si të këtillë bullgarët, por me një gjuhë më të ‘pranueshme’. Sidoqoftë, Kazazis, i cili ishte edhe kryetar i Shoqatës Helene, bëri me dije se pansallavët ishin rreziku më armiqësor i grekëve. Rektori Kazazis nuk i paraqiti si miq as sllavët serbë, por me ta hidhërimi ishte i shkallës më të ulët. Rektori bëri me dije se armiqtë e grekëve nuk ishin në Maqedoni, por larg atje në Shën Petersburg. Për ta bërë situatën më të qartë, Hisoriani grek Skordos, ka theksuar:
“Në lidhje me ‘makinacionet anti greke të pan sllavizmit në Maqedoni’, Rektori i Universitetit të Athinës konkludoi se ‘për momentin’ për Maqedoninë më shumë preferohej që ky vend të mbetej nën sundimin otoman se sa të binte nën ‘mbrojtjen e fuqisë së madhe ortodokse’”.