1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Urimi i Vitit të Ri me Inteligjencën Artificiale: Unë jam Edi Rama dhe prapa më vjen historia…

Në natën e ndërrimit të viteve, kryeministri shqiptar Edi Rama uroi mbarë shqiptarët për një vit të mbarë, me shëndet, paqe e dashuri, si dhe me mundësi të reja për realizimin e ëndrrave dhe përmbushjen e shpresave.

Këtë herë, urimi tradicional i fundvitit u shoqërua me një video të krijuar nga Departamenti i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t, dëshmi se progresi teknologjik, ashtu si në mbarë botën, po shënon një fazë të rëndësishme edhe për Shqipërinë.

“Unë jam Edi Rama, prapa më vijnë historia dhe Viti i Ri 2030! Sapo kemi hyrë në BE, por ju s’keni parë gjë akoma! Turisti i 20 miliontë hyri në Shqipëri dhe ishte i pari turist nga Hëna. Por me Partinë Socialiste, në vitin 2040-të do të hyjë i 30 milionti dhe ai do të jetë nga Marsi. Në këtë natë familjare dua të ndaj një sekret me ju! Bashkimi Europian po përgatitet të transferojë qendrën e tij nga Brukseli në Tiranë, mu aty ku po ndërtohet kulla më e lartë e botës, e para kullë që do të prekë tavanin e 1 mijë metrave lartësi… Falë Inteligjencës Artificiale natyrisht”, shprehej kryeministri dixhital në video.

Ndërkohë drejtuesja e AKSHI-t, Linda Karçanaj, shpjegoi se si u krijua videoja.

“Ne morëm një foto nga urimi juaj i vitit të kaluar, bashkëpunuam me zyrën e shtypit, – nuk ua dekonspiroj kush na ndihmoi – dhe pastaj e mori Enio, koka e Departamentit të Inteligjencës artificiale në AKSH dhe pastaj krijoi videon që pamë”, tha ajo.

Kreu i qeverisë vijoi më tej me urimin tradicional duke u ndalur fillimisht tek teknologjia e duke përfunduar me besimin se Shqipëria më në fund po bëhet.

* * *

Kryeministri Edi Rama në urimin tradicional drejtuar shqiptarëve:

Të dashur miq,

Ky që po mbyllet ishte një tjetër vit i një kohe ndryshimi marramendës për njerëzimin, ndryshimi më marramendës i historisë njerëzore – ku progresi teknologjik ka hyrë në një shpejtësi të paimagjinueshme deri pak vite më parë.

Po një gjë është e sigurtë.

Teknologjia as nuk na e merr dot, kohën që na është dhënë në këtë tokë me nënën, babën, fëmijët, familjen, rrethin e njerëzve të dashur, as nuk na i zëvendëson dot ata që duam e na duan, bashkë me vendin ku jemi lindur e ku flasim gjuhën e nënës.

Na takon ne të bëjmë më të mirën me këtë kohë që na është dhënë dhe sonte, unë ju uroj gjyshërve, nënave e baballarëve, fëmijëve e fëmijëve të fëmijëve, nipave e mbesave, të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, një mbrëmje të gëzuar në tavolinën e festës së madhe të këtij fundviti dhe një Vit të Ri siç jua do zemra, shëndet, paqe e dashuri, e me mundësi të reja për realizimin e ëndrrave dhe përmbushjen e shpresave.

Ky ishte padiskutim viti më i mirë i Shqipërisë; besimi tek Shqipëria u rrit ndjeshëm, flamuri ynë u duk më bukur se asnjëherë në skenën ndërkombëtare, ndërsa vendi ynë u vizitua më shumë se në çdo vit tjetër më parë nga njerëz që erdhën nga e gjithë bota.

Ky ishte viti i hyrjes së Shqipërisë me dinjitet në hartën turistike të Europës; të ardhurat dhe siguria e Shqipërisë u rritën gjithashtu, bashkë me investimet e brendshme e të huaja, që arritën shifrën më të lartë ndonjëherë, njësoj siç u fuqizua monedha jonë, e cila nuk ka qenë kurrë më e fortë sesa sot; rritja e pagave vazhdoi për të mos u ndalur vitin e ardhshëm, kur do të arrijmë në 900 Euro nivel të pagës mesatare në sektorin publik dhe do të kemi një rritje rekord të pagave në sektorin privat…

Por kjo nuk është dita e as ora për t’ju folur më gjatë për shumë gjërat e mira që u bënë këtë vit…

Madje ky është momenti për t’ju falenderuar thellësisht nga zemra për sa shumë më keni inkurajuar, mbështetur, po edhe duruar në aq shumë herët që ju jam shfaqur gjatë vitit në ekranet tuaja pa ju marrë leje, dhe për t’ju siguruar se jam shumë i vetëdijshëm, edhe për gjërat që s’kanë shkuar mirë, edhe për shumë gjërat që duhen bërë më tutje…

Çka kemi bërë deri këtu nuk do të kishte asnjë vlerë nëse do të ndalej këtu, por edhe me kaq e ka një vlerë të madhe për besimin se ky vend më në fund po bëhet; se ky vend ka dalë më në fund nga kthesa e gjatë dhe e vështirë e tranzicionit të mundimshëm; se këtë vend po e bëjmë ne, shqiptarët e kësaj kohe, të gjithë bashkë, hap pas hapi, duke ecur gjithnjë e më shpejt, e duke mësuar se si t’i bëjmë gjërat gjithnjë e më mirë.

Shqipëria Zonjë, nuk është më një amanet i penguar qysh prej kohës së rilindasve tanë, po është tanimë misioni ynë krejt i mundur; një realitet që ka nisur të marrë formë dhe është bërë i arritshëm me sy, si më e mira që është e gjitha përpara nesh!

Gëzuar!

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fvideos%2F1330881137604074%2F&show_text=false&width=560&t=0

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img