“Angazhimi im në PDK, është prej momenteve më të çmuara në jetë, një mundësi të kontribuoj për shtetin. Që nga shpallja e pavarësisë shteti i Kosovës ka pasur dinamikë të madhe në infrastrukturë, arsim e rritje të pagave, shumë prioritete që janë të prekshme për qytetaret, e të cilat ishin të pakapshme për atë kohë, nëse flasim për vitin 2007. Mirëqenia e qytetarit është ngritë me qeverisjen e PDK-së”, ka thënë Ismajli në emisionin Zona B në Klan Kosova.
Tutje ai ka thënë për PDK-në që ka realizuar projekte madhore dhe se është parti e cila ka vizion të qartë përderisa pakënaqësitë e qytetarëve me qeverisjen i sheh në raport me pritshmëritë ndaj kësaj partie.
“Ka rritje të pakënaqësisë tek qytetarët, por mendoj që shpesh herë qytetarët e shohin PDK-në si një motor të zhvillimeve të mëdha, nga ne presin edhe më shumë se sa që është duke u bërë, sepse jemi ideatorë të zhvillimeve dhe të projekteve të mëdha. Kjo e bën PDK-në numër një në Kosovë” deklaroi Ismajli.