Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka dorëzuar edhe zyrtarisht kandidaturën e tij në KQZ. Me këtë rast, Ismaili ka falënderuar të gjithë qytetarët e Prishtinës të cilët e kanë mbështetë kandidaturën e tij.
Ai ka thënë se me këtë kandidaturë dëshiron të dërgojë mesazh të qartë se do të jetë kryetar i Prishtinës për të gjithë qytetarët e Prishtinës, pa dallim. “Për këtë arsye kam zgjedhë që mesazhi ynë të jetë “Prishtina na bashkon”.”, ka thënë ai.
Statusi i tij të plotë:
Para pak minutash e dorëzova kandidaturën time zyrtare në KQZ për Kryetar të qytetit tonë të dashur, Prishtinës. Së pari, dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Prishtinës të cilët e kanë mbështetë kandidaturën time. Javët e fundit, përveç inkurajimit të madh, unë kam pranuar edhe shumë informata, ide, por më e rëndësishmja edhe shumë respekt, dashni e energji pozitive nga qytetarët e Prishtinës.
Bujtjet, intervenimet nëpër lagje, diskutimi me qytetarët në çdo lagje, më kanë bërë me kuptu dhe më kanë siguru që bashkimi rreth Prishtinës është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë për ta transformu qytetin tonë. Sepse për shumë vite me radhë, Prishtina ka qenë e ndarë për interesa financiare dhe politike. Prishtina është trajtu si bastion partiak. Dhe kjo është diçka që duhet ta ndryshojmë, fundamentalisht.
Me kandidaturën time dua të dërgoj mesazh të qartë se unë dua të jem kryetar i Prishtinës për të gjithë qytetarët e Prishtinës, pa dallim. Për këtë arsye kam zgjedhë që mesazhi ynë të jetë “Prishtina na bashkon”. Bashkimi, jo ndarja, është rruga jonë. Rruga që edhe unë e kam zgjedhur për Prishtinën.