Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së dhe deputeti, Uran Ismaili i ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të reflektojnë dhe të kuptojnë se fati i ushtarëve të UÇK-së nuk është fati i tyre individual, por përthama e përpjekjeve për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Ai në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se në peshoren e drejtësie nuk janë emrat e përveçëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, por i tërë vendi dhe historia e tij.
“Ne si deputetë duhet të reflektojmë dhe të kuptojmë drejtë se fati i ushtarëve të UÇK-së nuk është fati i tyre individual, por është bërthama e përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe shtet. Në peshoren e drejtësisë sot nuk janë duke u vënë emrat e përveçshëm, por aty është Kosova dhe historia e saj e lavdishme. Ata kanë sakrifikuar aq shumë duke i dalë edhe vdekjes përballë për liri dhe pavarësi. Jam i bindur se edhe në këtë temë do të dalin faqebardhë dhe krenar duke mbrojtur edhe një herë Kosovën. Natyrisht kam edhe një dilemë se a do të jemi në gjendjen si shtet dhe përgjegjësinë që kemi të gjithë ne për të mbrojtur historinë dhe UÇK-në”, tha ai, transmeton KP.
Këtë qëndrim, Ismaili e dha gjatë seancës plenare ku po debatohet për menaxhimin me pandeminë Covid-19.
Për këtë të fundit tha se qeveria i ka lënë pacientët e infektuar me Covid në mëshirë të fatit.
“Janë shpenzime shumë të larta për familjet që nuk po munden me i përballu, e keni fondin e sigurimeve shëndetësore folni me qeverinë, krijoni një limit të themi që një person mund t’i shpenzojë deri 150 euro dhe të sjell faturat. E keni atë mundësi për të bërë rimburësimin dhe me iu gjet pacientëve edhe në aspektin financiar”, tha ai.