Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me të parën e shtetit vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë.
Kupina tha se SHBA-të nuk i kanë shprehur në asnjë takim Osmanit qëndrim kundër hapjes së Urës së Ibrit, por sipas tij, vetëm kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm për ta bërë këtë.
“Sa i përket pyetjes suaj se a ka marrë Presidenca e Kosovës ndonjë paralajmërim zyrtar nga NATO-ja ose pjesa tjetër e faktorit ndërkombëtar, konfirmojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me Presidenten, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, të cilët çdoherë kanë dalë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe jetës së qytetarëve tanë”.
SHBA-ja asnjëherë, në takimet që kemi pasur, nuk i kanë shprehur Presidentes qëndrim kundër hapjes së urës, por thjesht kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë”.
Paralajmërimet për rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë i ka dhënë ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se hapja e Urës së Ibrit mund ta rrit këtë kërcënim.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë Hovenier.