Faqja zyrtare e Universitetit të Prishtinës ka njoftuar përmes një komunikate për media për takimin që Rektori i UP-së, Qerim Qerimi ka pasur me kreun e Zyrës së Kinës në Prishtinë, Cheng Lei, të cilit në njoftim UP i është referuar si “shefi i Zyrës së Ambasadës së Kinës në Prishtinë”.
Në këtë takim kanë biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe për mundësitë që ofron Universiteti i Prishtinës për studentët e huaj.
Qerimi ka theksuar që UP-ja ka një mori fushash ku mund të bashkëpunohet, ndërkohë që zyrtari kinez, Cheng Lei, ka falënderuar UP-në dhe është shprehur i lumtur për partneritetin dhe përkrahjen që iu është dhënë studentëve të huaj kinez.
Cheng Lei drejton Zyrën e Republikës së Kinës në Kosovë. Shteti kinez nuk ka Ambasadë në Republikën e Kosovës, meqë bashkë me Rusinë kundërshtojnë pavarësinë dhe nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.