Sipas një dokumenti të siguruar nga KOHA, dy institucionet janë pajtuar për ndërhyrje në arkitekturën e objektit. E largimi i largpërçuesit, i cili është cilësuar se përbën rrezik për jetën e njerëzve, nuk është opsion në marrëveshje. Për ndërtimin e objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë janë shpenzuar mbi 3 milionë euro, por procesi është përcjellë me hetime nga prokuroria dhe me dyshime të Zyrës Kombëtare të Auditimit, se tenderi nuk shkoi sipas rregullave
UP-ja ka arritur pajtim me KOSTT-in për zgjidhjen e problemit që zvarriti funksionalizimin e objektit, meqë gjatë ndërtimit nuk u respektuan kushtet teknike për distancën prej së paku 7 metrash nga largpërçuesi me tension të lartë.
Sipas një dokumenti të siguruar nga KOHA, UP-ja ka arritur një marrëveshje me KOSTT-i, e cila ndërhyn në arkitekturën e objektit.
“Pas kontrollimit të dokumentacionit të ofruar, mund të konfirmojmë se projekti i dorëzuar është i pranueshëm dhe respekton distancën e sigurisë (L=7m), gjithnjë, nëse i njëjti realizohet ashtu siç është paraparë me këtë projekt”, shkruan në dokumentin e nënshkruar më 10 mars.
Sipas marrëveshjes, pllaka e jashtme e katit të tretë do të largohet për të arritur standardin teknik.
“Sipas vlerësimeve, mund të realizohet një ndërhyrje në objekt e cila nuk përmban asnjë rrezik për stabilitetin e strukturës përkatësisht të objektit, si dhe përmbushë kërkesën e dalë nga standardet e KOSTT-it lidhur me korridorin fizik prej 7,0m. Më konkretisht, është propozuar që objekti në Katin 3, konkretisht pllaka e Katit të 3 dhe pllaka e kulmit të cilat janë nga betoni i armuar duhet të priten dhe atë deri tek elementet vertikale dhe horizontale të konstruksioni”, shkruan në projektin e përpiluar nga Rektorati, me ndihmë të një grupi nga Fakulteti i Ndërtimtarisë.
Sipas raportit teknik, distanca momentale ndërmjet katit përdhesë dhe kateve një, dy dhe tre është 6.79 m dhe 5.63 m.
Largimi i largpërçuesit, i cili është cilësuar se përbën rrezik për jetën e njerëzve, nuk është opsion në këtë marrëveshje. Për rrezikshmërinë e saj kishte alarmuar edhe dekani i Fakultetit, Bedri Dragusha. Ai javën që shkoi nuk ishte në dijeni për marrëveshjen e arritur.
“Rektori i UP-së kohë më parë i është drejtuar KOSTT-it me kërkesën për marrëveshje lidhur me objektin e ri të Fakultetit. Unë deri më tani nuk kam ndonjë njoftim-konfirmim zyrtar për marrëveshje eventuale. Në momentin kur të kam, do ju informoj me dëshirë”, ka thënë Dragusha.
E eksperti i mbrojtjes nga rrezatimi, Shyqri Dumani, ka thënë se qarkullimi afër largpërçuesit atakon sistemin nervor të njeriut.
“Këta përçues i dërgojnë valët magnetike të cilat kryesisht e atakojnë sistemin nervor qendror, përveç që krijojnë valët elektromagnetike të dëmshme natyrisht për shëndetin e qytetarëve krijojnë edhe një zhurmë e cila është e papërballueshme për kalimtarët. Gjithashtu përveç zhurmës ekziston rreziku fizik, nëse shkëputen telat e tensionit në rast të erërave të forta, në rast të dobësive të largpërçuesit, e në raste të tërmeteve”, ka thënë ai.
Punimet për ndërtimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, ku janë shpenzuar mbi 3 milionë euro, i kanë shoqëruar edhe procese hetimore nga Prokuroria. Vitin e kaluar, Rektorati i UP-së i ka dërguar dy lëndë për parregullsitë e evidentuara.
KOHA ka pyetur se në cilën fazë të hetimeve është procesi, por nuk ka marrë përgjigje nga prokuroria.
Sipas informatave të KOHËS, deri më tani prokuroria në UP ka intervistuar vetëm zyrtarin e suspenduar të prokurimit, Afrim Bajraktarin dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm, Esat Kelmendi.
Përpos parregullsive në ndërtimin e objektit, janë hasur edhe dyshime në përzgjedhjen e operatorit ekonomik për rregullimin e rrugës në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) i publikuar në vitin 2021, Universiteti i Prishtinës ka zgjedhur kompaninë me ofertën më të shtrenjtë për të kryer punët. Çmimi i ofertës së kompanisë fituese ishte 60,232 euro më i shtrenjtë sesa oferta e kompanisë që ishte eliminuar.
Kompania me çmim më të lirë ishte eliminuar me arsyetimin se i mungojnë certifikatat ISO si dhe se për menaxherin e projektit, kompania nuk e kishte ofruar certifikatën për sistemet hidroizoluese-kristaline, riparuese dhe mbrojtëse.
ZKA-ja ka gjetur se kompania fituese nuk i kishte plotësuar as disa kritere që ishin kërkuar në tender. Kompania fituese kishte ofruar dëshmitë që inxhinieri i gjeodezisë ka eksperiencë profesionale dyvjeçare, ndërsa përvoja e kërkuar në dosje të tenderit ishte katër vjet.