Site icon PrishtinaPress

Universiteti i Pejës merr vendim shantazhues për angazhimin e stafit akademik (Dokument)

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, vitin e kaluar kishte shpallur konkurs për angazhimin e personelit akademik, gjegjësisht për profesorë dhe asistentë.

Konkursi i 19 shtatorit 2016 nuk ishte fatlum për të gjithë kandidatët që do të aplikonin. Kjo për shkak të një vendimi që e kishte nxjerrë Senati më 7 dhjetor 2016.

Aty ishin disa kufizime. Ndër tjera, pika 4 e këtij vendimi ‘godiste’ direkt të gjithë ata që kishin guxuar të ankoheshin apo edhe ta padisnin UHZ-në. Kërkohej që, për punësim në universitet, kandidatët duhet ta dëshmojnë që kanë hequr dorë nga ankesa apo padia e ushtruar kundër UHZ-së.

“Nuk mund të angazhohen kandidatët që kanë parashtruar ankesë në Inspektoratin e Arsimit, Inspektoratin e Punës, në Komisionin për ankesa dhe kërkesa në kuadër të UHZ-së apo padi në gjykatë, të njëjtit mund të angazhohen nëse sjellin deklaratën me shkrim që është tërhequr nga ankesa respektivisht padia”, thuhet në pikën 4 të vendimit të Senatit të UHZ-së.

Por Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se ky vendim i tejkalon kompetencat ligjore të Senatit.

“Pa dyshim se ky vendim tejkalon kompetencat ligjore të vetë Senatit dhe kufizon të drejtat e kandidatëve për t’u angazhuar në këtë universitet”, tha Miftaraj për Insajderin.

Ai tha se e drejta për ankesë është e garantuar me Kushtetutë dhe Ligj.

“E drejta në ankesë, respektivisht, për të kontestuar vendimet administrative të organeve publike është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe Ligj.  Asnjë institucion apo organ administrativ, si në rastin konkret nga Senati i Universitetit të Pejës, nuk kanë të drejtë të kushtëzojnë realizimin e një të drejtë përmes tërheqjes së ankesës ndaj vendimeve të Senatit”, ka shtuar ai.

Megjithatë, rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Fadil Millaku, nuk sheh ndonjë problem në vendimin e Senatit.

“Arsye e precizimit të kësaj pike është sepse Universiteti “Haxhi Zeka” – Pejë, është i mandatuar të bëjë avancimin e dijës dhe menaxhimin efektiv të parasë publike, dhe mbi bazën e këtyre arsyeve Universiteti nuk e ka parë të arsyeshme që individët të cilët janë në konteste apo që e kanë paditur Universitetin të kenë në të njëjtën kohë marrëdhënie kontraktuale më Universitetin për shkak të ngarkesave financiare rreth procedurave të ngritura”, tha për Insajderin rektori i UHZ-së, Fadil Millaku.

Vendimin e Senatit rektori Millaku nuk e sheh si presion ndaj kandidatëve.

“Universiteti ‘Haxhi Zeka’ – Pejë, nuk e sheh aspak këtë vendim të senatit si presion ndaj kandidateve eventual, por qëndrim adekuat të organit më të lartë vendimmarrës lidhur më stafin akademik”, tha Millaku.

Pika 4 e këtij vendimi duket se pati sukses, sepse, siç konfirmoi rektori Millaku, nuk është ushtruar asnjë ankesë.

“Lidhur më vendimin e sipërpërmendur të Senatit nuk është paraqitur asnjë ankesë nga asnjëri nga kandidatët eventual”, shtoi ai.

Por, Ehat Miftaraj konsideron se, vetë fakti që në vendim është precizuar kjo çështje, flet për kufizim të të drejtave të garantuara.

“Pa marrë parasysh a është paraqitur ankesë apo jo, vetë fakti se në Vendim janë përcaktuar pasoja juridike në rast kur kandidatët paraqesin ankesë, është kufizim i të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe me këtë edhe paraqet shkelje ligjore”, tha ai.

Exit mobile version