Site icon PrishtinaPress

Universitet e Thaçit drejt mbylljes

Prizreni, Gjilani, Gjakova, Peja, Mitrovica e Ferizaj, shumë shpejt mund të humbasin epitetin e “qyteteve universitare”.
Universitetet që hapi Hashim Thaçi në kohën sa ishte Kryeministër, mund të mbyllen për mungesë cilësie, ose të shndërrohen në fakultete.

Jetën këtyre universiteteve pritet t’ua shkurtojë, Komisioni për Vlerësimin e Cilësisë dhe Qëndrueshmërisë, që ka krijuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në krye me Shyqyri Bytyqin.

Kështu ka paralajmëruar vet Ministri Bytyqi.

“Në kuadër të vlerësimit, nëse vërejmë që cilësia nuk është në nivelin e duhur, dhe qëndrueshmëria vihet në pikëpyetje, atëherë këto universitete mund të shndërrohen në fakultete përkatëse, të dy universiteteve në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për mbyllje të fakulteteve, por vetëm për shndërrim në kampuse të dy universiteteve në Kosovë”, ka deklaruar Bytyqi.

Njohësit e arsimit duket se po e mirëpresin një hap të tillë, pasi vlerësojnë se hapja dhe akreditimi i këtyre universiteteve është bërë në shpërputhje me ligjin, duke i hapur në kohë zgjedhjesh për të siguruar vota.

Pupovci: Universitetet janë themeluar duke mos i përfillur kërkesat ligjore

Dukagjin Pupovci, njohës i arsimit ka thënë për Gazetën Fjala se të gjashtë Universitetet janë themeluar duke mos i përfillur kërkesat ligjore, pasi që institucioni i vetëm i arsimit të lartë që mund ta mbajë emërtimin “universitet” është Universiteti i Prishtinës.

Sipas Ligjit të arsimit të lartë që një institucion të quhet universitet, duhet t’i ketë të paktën pesë programe të doktratës nga pesë fusha të ndryshme akademike, prej të cilave ka nxjerrë të diplomuar.

“Gjashtë universitete të tjera janë themeluar duke mos e përfillur fare këtë kërkesë ligjore dhe, po ashtu, janë akredituar në kundërshtim me ligjin. Kjo është bërë me vetëdije të plotë nga Qeveria, Kuvendi dhe Agjencia e Akreditimit, ndaj së cilës vazhdimisht është ushtruar presion politik që ta anashkalojë ligjin për t’i akredituar këto universitete”, ka thënë Pupovci për Gazetën Fjala.

Deklarimet e Ministrit Bytyqi, ai po i sheh si paralajmërim që të vendoset sundimi i ligjit, mirëpo thotë se Ministri do ta ketë shumë vështirë që të vendosë rend në këtë fushë.

Thotë se këto universitete kanë hapur dhe kanë akredituar programe nga fusha të ndryshme që nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën. E shndërrimi i tyre në fakultete  mund të bëhet vetëm nëse do të ketë mbyllje të programeve dhe fokusim në fusha të caktuara.

Sipas tij, në këto universitete ka mungesë stafi dhe se nëse nuk vendoset rend në pranim dhe avancim të stafit, ka pak shpresa në përmirësim të cilësisë.

“Numri i mjaftueshëm i stafit akademik të kualifikuar është parakusht për cilësi, prandaj kur të mungon stafi akademik, do të ketë efekte edhe në cilësi”.

Por, se a po prodhohen kuadro profesionale në këto universitete, Dukagjin Pupovci shprehet se këtë më së miri po e vlerëson tregu i punës. Ai deklaron se varet shumë nga mënyra se si organizohet puna në institucione të arsimit të lartë, nga cilësia e mësimdhënies, por edhe kriteri i vlerësimit.

“Nëse punëdhënësit ankohen vazhdimisht se të diplomuarit nuk janë të përgatitur për të kryer detyra nga profesioni i tyre, atëherë nuk mund të themi se prodhohen kuadro profesionale”, ka thënë Pupovci për Gazetën Fjala.

Thaçi: Janë hapur në kohë zgjedhjesh për vota

Edhe njohësi tjetër i arsimit, Jusuf Thaçi deklaron se këto institucione janë në shpërputhje ligjore, dhe se janë hapur për ta ulur artificialisht papunësinë.

“Universitetet janë në shpërputhje ligjore dhe janë hapur nën euforinë zgjedhore, për ta ulur artificialisht papunësinë, si dhe për të marrë vota”, ka thënë ai për Gazetën Fjala.

Thaçi thotë se në shumë programe të këtyre universiteteve nuk ka as cilësi minimale dhe se cilësia është problem sikurse në UP.

“Po besoj që Ministria ka dëshmi të mjaftueshme që në shumë programe të këtyre Universiteteve nuk ka as cilësi minimale, që të funksionojnë si programe studimi. Në këto Universitete studentët marrin diploma, por nuk prodhohen kuadro profesionale. Cilësia është problem në të gjitha universitetet, përfshirë edhe UP-në”, ka thënë Thaçi për Gazetën Fjala.

Ndërkaq, vetë iniciatori për hapjen e tyre nuk ka dashur të flas lidhur me nismën për mbylljen e universiteteve. Gazeta Fjala është në pritje të përgjigjeve nga zyra e Presidentit, Hashim Thaçi për të mësuar qëndrimin e tij për këtë qështje.

Buza: Ristrukturimi i universiteteve i duhet Kosovës

Mundësinë e shndërrimit të këtyre Universiteteve në kampuse nuk e përjashton as Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Shaban Buza.

Çfarëdo ristrukturimi i Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë, që i kontribuon ngritjes së cilësisë dhe profilizimit të tyre, është ajo që i duhet Kosovës në këto momente, kur ka shumë kritika dhe pakënaqësi të të diplomuarve”, ka thënë Buza për Gazetën Fjala.

Gazeta Fjala ka provuar të kontaktojë edhe me Rektorët e tjerë të Universiteteve nëpër qytetet e Kosovës për të marrë qëndrimet e tyre, por përveç Buzës asnjëri nga ta nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndërkaq, idenë për kthimin e këtyre Universiteteve si degë të UP-së, e kishte dhënë muaj më parë edhe përfaqësuesi i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci.

Gjinovci kishte  thënë për media se është evidente që Kosova nuk ka kapacitete për aq universitete publike sa janë hapur. Sipas tij, është tërësisht e dukshme që efekti i tyre elektoral ka përfunduar.

“Tash është koha për rikthim në realitet. Këto universitete ose duhet të kthehen si degë të UP-së ose të rigrupohen sipas rajoneve dhe t’u jepet statusi i kolegjeve siç është paraparë me Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë. Nuk bën dhe nuk mundet që komplekset e inferioritetit të një personi apo të disa personave të shndërrohen në agjenda shtetërore me pasoja financiare e ndërkohë rezultati i pritur të jetë afër zeros”, kishte thënë Gjinovci.

Ai kishte deklaruar se kanë nevojë për kolegje të specializuara, për shkolla profesionale të cilat zëvendësojnë hapësirat që lë Universiteti i Prishtinës dhe jo siç ishte shprehur ai për “universitete më të dobëta se ai i Prishtinës”.

Exit mobile version