Agjencioni i Kombeve të Bashkuara UNESCO duhet t’i hapë dyert edhe për kulturën e Kosovës, pasi vendi ynë ka çfarë t’i ofrojë kulturës botërore, u tha të shtunën në një aktivitet të organizuar nga Gruaja Demokratike e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me moton “Kultura e botës është e mangët pa kulturën tonë”.
Me këtë rast, kryetarja e Gruas së PDK-së, Justina Pula-Shiroka tha se shoqëria kosovare ka identitetin e saj të formuar kulturor dhe se UNESCO duhet t’i hapë dyert për kulturën dhe arsimin e vendit tonë, pasi Kosova vërtet ka çka t’i ofrojë UNESCO-s.
“Ne për të dëshmuar të kundërtën dhe të mos mbetur gjithnjë fëmijë vlerën kulturën e identitetet tonë duhet më shumë respekt ta çmojmë, kultivojmë dhe ta konsumojmë. Secilit objekt i trashëgimisë kulturore duhet t’ia japim legjendën për të lënë gjurmë për të rinjtë e këtij vendi. UNESCO duhet t’i hapë dyert për kulturën dhe arsimin e vendit tonë. Kosova vërtet ka çka t’i ofrojë UNESCO-s, ka identitetin e saj kulturor të formuar, por fatkeqësisht jo mirë të dëshmuar për t’u konsumuar si vlerë nga gjithë qytetarët e botës”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se përmes këtij aktiviteti synohet për të dëshmuar se krahas ekzistencës së objekteve të trashëgimisë kulturore, ekziston edhe vlera shpirtërore, siç janë veshja jonë e traditës, vallja e lojërat tradicionale, si dhe muzika.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, tha se Gruaja e Demokratike e PDK-së ka dëshmuar se gruaja në shoqërinë tonë ka potencial të jashtëzakonshëm për të ofruar më shumë për politikën tonë dhe se Gruaja Demokratike e PDK-së po iu prin këtyre proceseve.
“Vetë fakti që ju po i prini këtij procesi të UNESCO-s, e dëshmon se ne jemi duke biseduar edhe në kryesi të partisë, në komisione, në Parlament, por ju po e bëni veprimin, kjo është shumë me rëndësi dhe ju po i prini atyre angazhimeve dhe prioriteteve dhe besoj se kësaj here Kosova do të jetë vendi i 154 i UNESCO-s”, tha Reçica.
Deputeti Reçica shtoi se ata si komision kanë prioritet shumë çështje, porse diplomacia kulturore është e veçantë dhe se do të angazhohen fuqishëm në këtë drejtim.
“Komisioni për Punë të Jashtme një nga angazhimet ka edhe diplomacinë parlamentare, dhe në kuadër të diplomacisë parlamentare, është edhe grupet e miqësisë, sigurisë, inteligjencës, ekonomisë, por diplomacia kulturore është shumë e veçantë që mund të prezantojmë vlera të shumë të veçanta, vlera shumë të njohura, të cilave iu ka rënë një shtresë e hollë e harresës. Dhe unë besoj që do të angazhohemi fuqishëm në këtë drejtim”, theksoi ai.
Ndryshe, në këtë eveniment, përmes sllajdeve është prezantuar edhe një artizanat i veçantë, i cili ka lënë gjurmë në traditën shqiptare, mjeshtëria e kultivimit të filigranit. Po ashtu, përmes një grupi vajzash, u prezantuan veshjet kombëtare me të gjitha specifikat e saj rajonale.