Site icon PrishtinaPress

Ulutash: Unë po shkoj, por Dialogu kërkon guxim dhe përkushtim të vërtetë nga të dyja palët

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori Ozkan Ulutash, në përfundim të mandatit të tij, ka qëndruar në Bruksel, gjegjësisht në selinë e NATO-s, ku thotë të ketë informuar ambasadorët e të gjithë aleatëve të NATO-s, si dhe partnerët që kontribuojnë me trupa në misionin e KFOR-it.

Në një mesazh dërguar mediave, Ulutash ka thënë se viti i fundit ka qenë plot ngjarje.

Ai thotë se në muajt e kaluar, ka parë qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës “përtej historisë së tyre komplekse”.

“Pavarësisht dallimeve të tyre, të gjitha komunitetet në Kosovë ndajnë një shpresë të përbashkët për një të ardhme paqësore dhe prosperuese”, thotë mes tjerash komandanti Ulutash.

Megjithatë, ai thotë se “fatkeqësisht, shumë sfida mbeten”.

Sipas tij, “tensionet ende ziejnë dhe mosbesimi midis komuniteteve pengon përparimin”. Ai shprehet se dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “vazhdon të përballet me pengesa”, teksa thekson se NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja “si kornizë për një zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e pazgjidhura”.

“Mbetem optimist se – me durim, këmbëngulje dhe qëndrim konstruktiv nga të gjitha anët – këto pengesa mund të kapërcehen”, u shpreh Ulutash.

Ai thotë se gjatë komandës së tij, KFOR-i ka ruajtur me sukses paqen dhe sigurinë në mbarë Kosovën.

“Nëpërmjet një qëndrimi të dukshëm, fleksibil dhe të adaptueshëm, ne kemi parandaluar rreziqet për dhunë të përtërirë dhe kemi kontrolluar me shpejtësi situata që mund të çojnë në incidente ose përshkallëzime të tjera. Kemi përforcuar më tej misionin dhe kemi vazhduar rolin tonë si një forcë e paanshme, duke punuar me të gjitha komunitetet për të nxitur sigurinë, për të gjithë njerëzit”.

“Dhe ne kemi vazhduar të ofrojmë mjedisin e sigurt të nevojshëm për përpjekjet diplomatike për të ecur përpara”, deklaroi Ulutash, raporton Klankosova.tv.

Një pikë kryesore gjatë mandatit të tij, ai thotë se ishte “mbikëqyrja e koordinimit të KFOR-it me një gamë të gjerë homologësh: BE-në, OSBE-në, OKB-në, institucionet në Kosovë, komunitetin diplomatik në përgjithësi dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe”.

Ky bashkëpunim, sipas tij, mbetet kritik, për të mirën e sigurisë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal.

Ndërsa po largohet nga Kosova, ai thotë se merr me vete “mësime të paçmueshme – profesionale dhe personale”.

“Si gjeneral turk, jam krenar për përkushtimin e gjatë të kombit tim për ruajtjen e paqes dhe mbështetjen që i kemi dhënë misionit të NATO-s në Kosovë”.

“Kjo përvojë më ka thelluar të kuptuarit se sa kritik janë bashkëpunimi dhe besimi ndërkombëtar për ruajtjen e paqes në mjedise komplekse”.

Ai pati një mesazh për të gjitha komunitetet në Kosovë, i cili tha se është “mesazhi i shpresës dhe këmbënguljes”.

“I bëj thirrje të gjitha komuniteteve që të vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim”, tha Ulutash në këtë adresim, teksa theksoi se zhvillimi i dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “mbetet vendimtar dhe besoj fuqimisht se është e mundur”.

“Megjithatë, kjo kërkon guxim dhe përkushtim të vërtetë nga të dyja palët. Ky dialog nuk është vetëm një domosdoshmëri politike, por edhe një imperativ moral për hir të brezave të ardhshëm”, potencoi komandanti në largim i KFOR-it, Uzokan Ulutash.

Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë popullin e Kosovës dhe komunitetin e KFOR-it, “për mbështetjen gjatë mandatit tim si komandant i misionit”.

“E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja dhe besoj se kjo e ardhme mund të jetë e ndritur”, përfundoi Ozkan Ulutash.

Exit mobile version