Site icon PrishtinaPress

Ultimatumi i Pëllumb Gjokës: “Hiq djalin nga shkolla!”/ Si lindi sherri me Musabelliun që i futi plumbin në këmbë

Përplasja në 2017-s mes Pëllumb Gjokës dhe ish-punonjësit të policisë së Burgjeve, ka ndodhur për shkak të fëmijëve.

Dy djemtë e protagonistëve të përplasjes ishin në një klasë dhe janë konflikuar me njëri-tjetrin në ambientet e shkollës.

I vënë në dijeni për këtë sherr, Kleant Musabelliu ka shkuar si prind në ambientet e shkollës dhe së bashku me mësuesen kujdestare dhe drejtorinë e shkollës, ka pajtuar dy shokët e klasës duke normalizuar situatën.

Por në mbrëmjen e 11 shtatorit 2017, polici i burgjeve është telefonuar nga Pëllumb Gjoka dhe i ka kërkuar të takohen tek lokal “Rozafa”.

Kleanti bashkë me djalin e tij dhe vëllain e tij si shofer kanë shkuar dhe janë takuar me Pëllumb Gjoka.

Ky i fundit i ka kërkuar në mënyrë ultimative që të heqë djalin nga shkolla dhe ka filluar të konfliktohej fizikisht me të.

Kleanti është ndjerë i kërcënuar pasi veç Gjokës, kanë filluar ta godasin edhe disa persona të tjerë nga mbrapa dhe në një moment dyshon që ka parë një person me armë.

Në këto momente ka nxjerrë armën e shërbimit të policisë së burgjeve dhe ka qëlluar disa herë në ajër dhe drejt personave që e godisnin.

Por nga të shtënat ka mbetur i plagosur në këmbën e majtë, biznesmeni Pëllumb Gjoka.

Musabelliu iku nga ambientet e “Rozafës” dhe shkoi u dorëzua në Komisariatin nr. 3, duke dorëzuar dhe armën.

Hetimet u zhvilluan nga prokuroria e Tiranës, ku në dosje ndodhet dhe një deklaratë e Pëllumb Gjokës, i cili hiqte dorë për ndjekjen e konfliktit në rrugë ligjore duke u shprehur se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar.

Më tej në 20 dhjetor 2017, Pëllumbi është shprehur që e kanë dërguar në spital dhe nuk mban mend saktë.

Pas kësaj ngjarja është klasifikuar nga prokuroria e Tiranës nga “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë në “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosje”.

Të dyja këto akuza u pushuan nga prokuroria e Tiranës, dhe pas disa muaj Musabelliu doli nga burgu.

Por kjo ka qënë një kurth për të liruar nga burgu Musabelliun, pasi siç del nga bisedat në “Sky”, Pëllumb Gjoka ka futur në punë 5 persona për të vrarë Kleant Musabelliun.

Gjoka kishte hequr dorë nga ndjekja ligjore, por nuk e kishte falur me Kanun ish-policin e burgjeve.

Për një periudhë kohe Musabelliu dhe vëllai i tij, ruheshin, pasi i ndruheshin një goditje të mundshme nga njerëzit e Gjokës.

Goditjen me armë dhe plagosjen e tij, Gjoka e quan në bisedat e “Sky” si ulje reputacioni për të dhe se siç del edhe në komunikime që Gjoka bën me Behar Bajrin, vrasja e Musabelliut duhet të kryhet edhe për opinion.

Behari i shkruan që: “Nuk është punë borxhi, kët e kryn dhe atë herë ja kryj unë atë, ashtu e kena lënë sepse bëra muhabet edhe kur ika me taku Benin dhe më tha që do të ndihmoj, se duhet ma e kryj atë kurv në Tiranë. Tash po presim mu kry. Se më ka kap inati dhe mua për të, për opinion duhet me ik ai”.

Pëllumbi i shkruan që: “Po po, ai duhet me ik”.

Exit mobile version