Pas ultimatumit të Bashkimi Evropian, e cila përmes një deklarate të shefit të politikës së Jashtme Josep Borrell i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të ulur tensionet dhe të punojnë për vendosjen e qetësisë në veriun e trazuar të Kosovës, duke paralajmëruar se nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.
Borrell lëshoi një deklaratë në emër të 27 vendeve anëtare të bllokut duke kërkuar që të përsëriten zgjedhjet e parakohshme. “Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pa bashkërenduar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të ulur tensionet do të çojë në pasoja negative”, thuhet në deklaratë.
Kjo deklaratë është shpërndarë nga kryeministri Edi Rama i cili mbështet qëndrimin e BE. Sipas Ramës nëse palët nuk do të zbatojnë kërkesat e BE, pasoja do të ishte e vetë-shkaktuar.
“BE-ja nuk mund të ishte më e qartë! Vazhdimi me këtë mosplan absurd duke vendosur policinë për të mbrojtur ndërtesat boshe ku zyrtarët e zgjedhur nuk mund të hyjnë, dhe nga ana tjetër, vendosja e trupave të ushtrisë për të kënduar në kufirin e një vendi tjetër nuk mund të ishte më vetëshkakuese dhe më pak evropiane.”, shkruan Rama.
Bashkimi Evropian i përsëriti Kosovës 3 kërkesa, me në krye përsëritjen e zgjedhjeve.
“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë që nuk e përshkallëzon situatën, dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje” .