1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Ulpiana e Liria në kërkim të fitores, në barazhin e Ligës së Parë

Dy skuadrat e Ligës së Parë, Ulpiana dhe Liria, kanë synimin e njëjtë para duelit që do ta kenë të shtunën.

Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Ulpiana dhe Liria përballen në ndeshjet e barazhit të Ligës së Parë. Skuadra që e fiton këtë ndeshje, që nis në orën 15:00, do ta ketë mundësinë për të tentuar inkuadrimin në elitë, pasi do të paraqitet në barazhin e Superligës që është përcaktuar të zhvillohet javën e ardhshme. Si Ulpiana ashtu edhe Liria dolën nënkampione të grupeve të tyre në Ligën e Parë. Ulpiana doli e dyta në Grupin B, prej të cilit direkt në Superligë kalon Fushë Kosova. Ndërsa, në elitë prej Grupit A kalon Feronikeli ’74, derisa Liria u rendit e dyta.

Pas 27 xhirove të zhvilluara në Ligën e Parë, Ulpiana i tuboi 53 pikë, një më pak se Liria. Dy skuadrat do të synojnë të tregojnë formën e tyre në duelin vendimtar. Tek Ulpiana optimizmi është i madh. Klubi nga Lipjani edicionin e shkuar u largua nga Superliga dhe po synon kthimin e menjëhershëm. Trajneri Emin Bajrami ka thënë të premten për KOHËN se ekipi fillimisht synon ta eliminojë Lirinë në barazhin e Ligës së Parë në mënyrë që të përgatitet dhe të jetë i motivuar maksimalisht për barazhin e Superligës.

“Është një përballje me peshë shumë të madhe. E kemi parasysh se është vetëm një ndeshje dhe fituesi kalon tutje dhe luan në barazhin e Superligës. Kështu që synimi është që ne të jemi ky ekip për shkak se duam të tentojmë kthimin në elitë pas vetëm një edicioni. Jemi të përgatitur dhe të motivuar maksimalisht për duelin me Lirinë. Sigurisht, Liria është një ekip i mirë që duhet vlerësuar dhe respektuar”, ka thënë Bajrami. “Në këtë ndeshje do të vendosin detajet, ndërsa mendoj se ekipi që është më i përgatitur në aspektin psikologjik do ta ketë përparësinë. Besoj se kjo skuadër do të jetë Ulpiana pasi kemi pasur një edicion të mirë në Ligën e Parë”.

Për dallim prej Ulpianës, skuadra e Lirisë së Prizrenit ka kohë që po e kërkon kthimin në Superligë. Liria herën e fundit ka luajtur në Superligë në edicionin 2018/19. Skuadra me nam nga Prizreni edhe vitin e shkuar ka qenë në të njëjtën pozitë. Luajti në barazhin e Ligës së Parë, por u mposht nga Vushtrria pas penalltive. Këtë herë Liria dëshiron ta kalojë barazhin e Ligës së Parë dhe të luajë në barazhin e Superligës. Trajneri Xhengis Rexhepi ka besim në futbollistët e tij.

“Jemi vetëm dy ndeshje larg Superligës dhe kjo tregon shumë qartë se çfarë ndeshje e rëndësishme është barazhi i Ligës së Parë për dyja skuadrat. Ne kemi respekt maksimal për kundërshtarin dhe gjatë kësaj kohe jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Rexhepi për KOHËN. “Kam besim të plotë te karakteri dhe kualiteti i futbollistëve të ekipit tim. Me përkrahjen e gjithë prizrenasve, tifogrupit ‘Arpagjikt’ besojmë fuqishëm se ndeshja ndaj Ulpianës do të kalojë në mënyrën më të mirë për ekipin tonë”.

Të dy skuadrat do ta kenë përkrahjen e tifozëve në këtë përballje të rëndësishme. Një ditë pas duelit, fituesi do ta mësojë emrin e kundërshtarit për ndeshjen e barazhit të Superligës që luhet javën e ardhshme. Aktualisht Ferizaj është ekipi që e mban vendin e tetë në Superligë, i cili dërgon në barazh. Ka 38 pikë, një më shumë se Trepça ’89 që renditet e parafundit (9).

Të dielën, në xhiron e fundit të Superligës, Ferizaj luan në shtëpi kundër Dukagjinit, ndërsa Trepça ’89 e pret Prishtinën.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img