0.8 C
Pristina
Tuesday, February 4, 2025

Buy now

spot_img

Ulja e angazhimit amerikan, Serwer: Rusia do të jetë përfituesi kryesor i çdo vendimi të SHBA-së

Ulja e angazhimit amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor nënkupton rritjen e ndikimeve të tjera keqdashëse, kanë thënë njohës të zhvillimeve. Për ekspertin amerikan të çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, Rusia do të jetë kërcënuesi kryesor i çdo vendimi të SHBA-së për të shkurtuar ndihmat për avancimin e demokracive në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, ka vlerësuar se ndalja e ndihmave amerikane për rajonin do të krijojë terren për përfshirje të aktorëve jodemokratikë. 

Në rastin e Kosovës dhe të Ballkanit në përgjithësi, Serwer rrezikun më të madh e sheh nga tentativa e Rusisë për të nxitur destabilizim. 

Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump ka marrë vendim për ngrirjen e menjëhershme të të gjithë ndihmave të huaja për afat 90 ditë, përveç ndihmës urgjente ushqimore dhe ndihmës ushtarake për Izraelin dhe Egjiptin.

“Nëse vendimi mbetet, nuk do të jetë mirë. Sigurisht, rusët nuk po e ndërpresin ndihmën e tyre për armiqtë e demokracisë në institucione, shoqëri civile dhe media. Do të doja t’i shihja avokatët e demokracisë të mbijetonin nga financimi vendor dhe jo me ndihmën e huaj, por ajo ditë nuk ka ardhur ende”, ka thënë Serwer për Kohën. 

Në këtë situatë Serwer shton se shpresa mbetet tek Bashkimi Evropian (BE) për t’i shmangur ndërhyrjet nga vendet dashakëqija. 

“Shpresoj se BE-ja do të përpiqet, por Rusia do të jetë përfituesi kryesor i çdo vendimi të SHBA-së për të shkurtuar ndihmat për demokracitë. Turqit dhe kinezët mund të përpiqen të përfitojnë gjithashtu, por krahasuar me rusët unë jam shumë më pak i shqetësuar për ta. Moska e ka bërë të qartë se do të donte ta destabilizonte demokratizimin e Ballkanit. Ky do të jetë rreziku kryesor”, ka potencuar ai. 

Fondet nga SHBA-ja në Kosovë kanë ardhur kryesisht nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. Ato përfshijnë donacione për të mbështetur sistemin gjyqësor, transparencën dhe llogaridhënien qeveritare, si dhe përmirësimin e tregut të energjisë. 

Departamenti amerikan i Shtetit, nëpërmjet një deklarate të hënën, ka njoftuar për rishikimin e aktiviteteve të USAID-it. 

“Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është larguar prej kohësh nga misioni i saj fillestar për t’i avancuar me përgjegjësi interesat amerikane jashtë vendit dhe tani është plotësisht e qartë se pjesë të konsiderueshme të financimit të USAID-it nuk janë në përputhje me interesat thelbësore kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Sekretari Rubio po ashtu e ka njoftuar Kongresin se po kryhet një rishikim i aktiviteteve të ndihmës së huaj, me synim të një riorganizimi të mundshëm”, thuhet në deklaratën e DASH-it.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img