Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës e ka pasur një shkak dhe ajo është bllokimi që gjermanët bërën ndaj projektit gjigand të Europës, Nord Stream 2. Kështu është shprehur në një intervistë për mediat gjermane, diplomati dhe njeriu që besohet se do të marrë detyrën e sekretarit të shtetit në rast të një fitoreje të Donald Trump, Richard Grenell.
Në intervistën e dhënë për Die welt, Grennell, një njohës i mirë edhe i raporteve Kosovë-Serbi, vuri në dukje rolin e Donald Trump për të mbrojtur Europën dhe planit të tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Në Evropë po zhvillohet një luftë. Nuk kishte luftë kur Donald Trump ishte president. Kur isha në Gjermani, mbrojta politikat e Donald Trump. Qeveria gjermane ka qenë tepër e tmerrshme për politikat e Donald Trump kundër Nord Stream 2, udhëzimet për të përmbushur objektivin prej 2 për qind të NATO-s dhe politikave tona shtrënguese duke u thënë kompanive gjermane që të mos bëjnë biznes me Iranin. Tani mund të argumentoj se Nord Stream 2 ishte një nga arsyet që kemi luftën në Ukrainë. Dhe nëse Iranit do ti ishte bërë presion, ai nuk do të kishte para për të mbështetur Hezbollahun dhe Hamasin dhe për të bërë një luftë në Izrael”, tha Richard Grenell, ish-ambasador i SHBA në Gjermani
Më tej, Grenell vë në dukje faktin e mungesës së komunikimit midis Joe Biden dhe Vladimir Putin, si një faktor për mos arritjen e një zgjedhjeje për luftën në Ukrainë.
Sakaq, bëhet e ditur se ushtria ruse zmbrapsi përpjekjet e reja të trupave ukrainase për të zbritur në bregun e majtë të lumit Dnieper, kufiri natyror midis territoreve të kontrolluara nga dy pretendentët përkatësisht në Ukrainën juglindore. Disa ditë më parë, Kievi njohu tërheqjen nga Krinki, një qytet në rajonin Kherson që ka shërbyer si krye urë mbi Dnieper që nga fundi i vitit 2023 dhe ku pozicionet ukrainase u shkatërruan nga ushtria ruse./a2cnn