Departamenti i Inteligjencës në Ministrinë ukrainase të Mbrojtjes, ka thënë se ushtria e Ukrainës i ka dëmtuar dy anije zbarkuese ruse në Krimenë e pushtuar, përmes disa sulmeve të nisura në mëngjesin e 10 nëntorit.
“Po, ky informacion është i vërtetë”, ka thënë zyrtari i inteligjencës Andriy Yusov për Radion Evropa e Lirë, pas raportimeve të mediave ukrainase.
Në raportimet e mediave është thënë se sulmi ka ndodhur në Çornomorske, në pjesën perëndimore të Krimesë, dhe se janë shënjestruar dy anije zbarkuese të shpejta ruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes, ka thënë se mbrojtja e saj ajrore “i ka shkatërruar” tre dronë ukrainas mbi territorin e Krimesë dhe në rajonin Tula, në jug të Moskës.
Si kundërpërgjigje, zyrtarët ukrainas kanë thënë se dronët rusë i kanë sulmuar rajonet ukrainase Dnjipropetrovk, Harkiv, Mikollaiv, Polltava dhe Kiev.
Ata kanë thënë se i kanë rrëzuar pesë dronë iranianë dhe një raketë lundruese.
Deri më tani nuk ka raportime për të plagosur apo dëme tjera.
Më 9 nëntor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka nënshkruar ligjet që e vazhdojnë gjendjen e luftës dhe mobilizimin e përgjithshëm për 90 ditë shtesë.
Ligjet, të cilat janë miratuar në Parlamentin ukrainas më 8 nëntor, e zgjasin gjendjen e luftës deri më 14 shkurt 2024.
Ligjet e luftës janë zbatuar në Ukrainë prej 24 shkurtit të vitit 2022, ditën kur Rusia e ka nisur luftën ndaj këtij shteti.
Të njëjtën kohë është shpallur edhe mobilizimi i përgjithshëm.
Votimi për ta shtyrë këtë gjendje lufte është i nënti për Ukrainë, prej nisjes së konfliktit.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL