Forcat e armatosura të Ukrainës pretendojnë se më shumë se 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Në informacionet e fundit për humbjet ruse, raportohet se 100.400 ushtarë rusë janë “likuiduar” që nga fillimi i luftës, me 660 ushtarë të vrarë gjatë ditës së djeshme.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës e quajti njoftimin e saj në Twitter një “koincidencë të pabesueshme” duke pasur parasysh se Rusia dyshohet se ka dekoruar 100,000 ushtarë në 10 muajt e fundit. Ju kujtojmë se pushtimi rus i Ukrainës filloi më 24 shkurt dhe rusët rrallë ndanin informacione për viktimat e tyre.
Forcat ukrainase pretendojnë se kanë shkatërruar gjithsej 3003 tanke, 1978 sisteme artilerie dhe 283 avionë. “Lavdi Ukrainës! Në ditën e 302-të, rezistenca heroike e popullit ukrainas ndaj pushtimit në shkallë të gjerë të ushtrisë ruse vazhdon”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës./Prishtinapress/