Site icon PrishtinaPress

“Ukraina armikun e ka jashtë kufirit, Kosova dhe UÇK-ja e kishte brenda pushtuesin”

Ish-ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Agim Çeku, e ka ngritur një paralele në mes të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet ‘98-‘99 dhe luftës në Ukrainë, që është duke u zhvilluar tani për një muaj rresht.

Çeku ka theksuar se Ukraina ka mundur të jetë e përgatitur për këtë luftë për punën e municionit dhe aspekteve të tjera, ndërsa për UÇK-në, sipas tij, furnizimi me armë ishte i vështirë.

“Ukrainën po e shohim të gjithë me admirim, rezistencën e popullit, jemi duke parë një unitet të botës përparimtare në përkrahje të Ukrainës, po shohim një luftë heroike nga ushtria, një lidership që është i pashembullt, një komunikim që është për t’u studiuar dhe mësuar”, ka pohuar Çeku.

“Por, është situatë ndryshe sot. Ukrainën po e mbështet krejt bota, Amerika i ka dhënë dy miliardë të holla për armatim dhe një miliard për ndihma humanitare, është një mbështetje e merituar dhe e duhur”, tha Çeku në Klan Kosova.

“Ukraina është sulmuar nga kufiri, armiku ka hyrë, deri në atë ditë pjesa më e madhe e Ukrainës ka qenë e lirë, e ka administruar vetveten, janë përgatitur ndoshta për këtë, pushtuesi ka ardhur nga jashtë”.

“Ne e kemi pasur brenda pushtuesin, gjithë kufijtë kanë qenë të mbyllur nga pushtuesi. Aeroporti si pikë strategjike për furnizim nga jashtë ka qenë i mbyllur. Kur e shohim si po armatoset Ukraina dhe të shohim se si është armatosur UÇK-ja, djemtë tanë janë lajmëruar, kanë ardhur në Gllogjan, s’ka armë, atëherë dikush e ka organizuar dhe i ka dërguar në Shqipëri dhe, përmes rreshtave dhe pozicioneve serbe, kanë kaluar, janë plagosur shumë prej tyre edhe janë vrarë, ata i kanë sjellë në këtë vend armët”, ka thënë Çeku.

Exit mobile version