Site icon PrishtinaPress

Ukë Rugova deklarohet i pafajshëm

Në shqyrtimin gjyqësorë i cili është duke u mbajtur ndaj Ukë Rugovës, prokurori i rastit, Andre Hughes, ka bërë leximin e pikave të aktakuzës ndaj Ukë Rugovës, Astrit Haraqisë, Izet Beqirit dhe të tjerëve të përfshirë në këtë rast.
Gjatë këtij shqyrtimi i akuzuari Ukë Rugova, është deklaruar para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës plotësisht i pafajshëm nga të gjitha pikat e aktakuzës që rëndojnë mbi të.
Sipas aktakuzës, Ukë Rugova së bashku me Izet Beqirin kanë udhëhequr apo drejtuar një grup të organizuar kriminal duke shkaktuar vepra penale që ndërlidhen me mashtrim, ushtrim të ndikimit dhe kontrabandim me emigrantë në shit-blerjen e vizave Shengën në ambasadën Italiane, transmeton zëri.info.

Prokurori ka bërë të ditur se veprat për të cilat akuzohet Ukë Rugova është vepër penale e dënueshme me gjobë deri në 5000 mijë euro, ose me burgim deri në 10 vjet.
Ukë Rugova akuzohet edhe për veprën tjetër penale që ka të bëjë me mbajtje dhe autorizim të pa autorizuar të armëve vepër kjo e dënueshme prej 2 deri ne 8 vjet burg.
Ndërsa i akuzuarit tjetër në këtë rast, Astrit Haraqija akuzohet për “krim të organizuar, pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal në lidhje me kontrabandim të emigranteve, dokumente mashtruese të udhëtimit e dënuar me gjobë deri në 250 mijë euro ose me burgim deri në 7 vjet”.
Gjithnjë sipas prokurorisë Haraqija ka marrë pjesë në aktivitet e grupit kriminal të cilat përfshinë pasojën e qytetarëve me viza italiane Shengen të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme apo nëpërmjet shtrëngimit dhe korrupsionit. Po ashtu edhe Astrit Haraqija është deklaruar i pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e prokurorisë duke thënë “që të gjykohet lënda e jo emri”.
Përveç Rugovës dhe Haraqisë edhe të akuzuarit e tjerë janë deklaruar të pafajshëm. /Zëri/

Exit mobile version