Site icon PrishtinaPress

Ujkani reagon për biletat: Populli ynë nuk e meriton këtë!

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani, në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme Kosova – Malta, e vlefshme për Ligën e Kombeve, ka thënë se organizimi i shitjes së biletave nuk është në rregull dhe se populli nuk e meriton një trajtim të tillë.

“Për neve është kënaqësi e madhe kur ka interesim të madh nga tifozët. Organizimi i shitjes së biletave nuk është në rregull, nuk e meriton populli këtë trajtim. Duhet zgjidhje më e mirë. Po e shohim në Facebook se po shiten bileta në të zezë. Populli nuk e meriton me ble një biletë të 2 eurove më shtrenjtë. Jemi të kënaqur me përkrahjen e tifozëve tanë. E duam Kosovën, duam përkrahjen e tifozëve ta kemi gjithmonë. Dëshirojmë ta çojmë Kosovën sa ma lartë”, ka deklaruar Ujkani.

Kapiteni dhe portieri i Kombëtares së Kosovës ka deklaruar se nesër është një ndeshje shumë e rëndësishme për Kosovën.

“Besoj që Malta vjen këtu me marrë pikë siç ia ka bërë me Azerbajxhanin, duhet me pasë kujdes. E dimë që jemi duke luajtur kundër një ekipi me shumë eksperiencë, mosha e tyre është më e lartë se e jona. Duhet me pasë respekt e kujdes”, ka deklaruar Ujkani, transmeton Kallxo.com.

Ai është pyetur edhe për ecurinë e tij në ndeshjet e fundit dhe mospranimin e golave nga kundërshtarët në pesë ndeshjet e fundit.

“Qëllimi im është gjithmonë mos me pranu gol. Shpresoj që do të vazhdoj kështu. Me rëndësi është me dhënë një gol më shumë se kundërshtari”, ka përfunduar Ujkani.

Ditët e fundit kur kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen Kosovë – Maltë, janë përshkuar me radhë të gjata të pritjes, shtyrje gjatë pritjeve të tifozëve, ndërhyrje e policisë dhe përdorim i sprejit nga Policia si dhe arrestime të personave që prisnin në rend për një biletë.

Në dy ndeshjet e para Kosova ka grumbulluar 4 pikë dhe është në krye të grupit. Kosova ka arritur të marrë një barazim 0 me 0 ndaj Azerbajxhanit si mysafire dhe ka arritur t’i mposhtë Ishujt Faroe me rezultat 2 me 0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Exit mobile version