Komiteti i Ministrave sot pritet ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Pas shqyrtimit të aplikacionit nga ana e Komitetit të Ministrave, fjala përfundimtare i mbetet Asamblesë Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit e shteteve anëtare. Pranimi i një anëtari të ri në KiE bëhet në rast se shteti që aplikon siguron 2/3 e votave.
Drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, vlerëson se gjasat janë reale që Kosova të pranohet në këtë organizatë ndërkombëtare.
Në një intervistë ai ka thënë se Kosova prej kohësh i ka siguruar 2/3 e votave për anëtarësim, e sidomos pas marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër.
“Pas aplikimit më 12 maj 2022 dhe zhvillimeve të fundit, veçanërisht me dy marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër dhe duke marrë parasysh faktin që në këtë mekanizëm kërkohen 2/3 për anëtarësimin e një vendi, numër ky që Kosova e ka të siguruar prej kohësh, këto janë tregues që Kosova nuk ishte dashur të ketë asnjë pengesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Absolutisht se gjasat janë të mëdha. Nuk duhet të harrohet fakti se marrëveshjet e fundit ngërthejnë në vete edhe mundësinë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare e cila mbështetet nga e gjitha bashkësia ndërkombëtare demokratike, andaj unë nuk shoh asnjë pengesë në këtë drejtim”.
Profesori vlerëson se me zotimet që Kosova ka marrë për zbatimin e marrëveshjes së Ohirt, ka marrë mbështetje të forta nga ana e komunitetit ndërkombëtar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Është me rëndësi të nënvizohet, edhe po qe se do të ketë tendenca që të kushtëzohet me ndonjë kriter ky anëtarësim, prapë se prapë ju e dini që pala kosovare ka dhënë sinjalet e veta shumë pozitive për ta zbatuar marrëveshjen e Brukselit dhe këtë të Ohrit”.
Më 16 mars të vitit 2022, Rusia është përjashtuar nga KiE, për shkak të agresionit në Ukrainë. Megjithatë, Ujkani ka thënë se edhe po qe se Rusia do të vazhdonte të mbetej anëtare e këtij Këshilli, kjo nuk do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës.
“Edhe nëse Rusia nuk do të ishte përjashtuar nga Këshilli i Evropës, ajo nuk do të mund ta pengonte Kosovën duke e ditur se aty nevojiten 2/3 e votave dhe siç e ceka më herët, Kosova e ka arritur një mbështetje të tillë prej kohësh”.
“Një element tjetër është fakti që Kosova është rreshtuar me vendet perëndimor për t’i vendosur sanksione Rusisë, kështu duke kundërshtuar agresionin në Ukrainë dhe duke qenë një pjesëmarrëse aktive në mbrojtjen e popullatës ukrainase sikurse është strehimi i gazetarëve, të gjitha këto ishte dashur që Kosovës t’i kreditohen si vlera shtesë”.
I pyetur rreth asaj se çfarë përfiton Kosova në rast se pranohet aplikimi i saj nga ana e KiE-së, Ujkani thekson se nga ky anëtarësim më së shumti do të përfitonin qytetarët e Kosovës.
“Këshilli i Evropës është organizata kryesore rajonale për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë drejtim qytetarët e Kosovës do të ishin përfituesit më të mëdhenj pasi që në të ardhmen, drejtësinë, përveç në nivel nacional, do të mund ta kërkojnë edhe në Gjykatën e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Këshillin e Evropës për arsye se instrumenti kryesor juridik i KiE-së është pikërisht Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”.
Kujtojmë se Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare e themeluar në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore për të mbështetur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.
Deri më tani asnjë vend nuk është anëtarësuar në Bashkimin Evropian, pa u bërë fillimisht anëtare e Këshillit të Evropës.
Edhe pse Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, e ka fuqinë të shtyjë përpara zbatimin e marrëveshjeve të përzgjedhura ndërkombëtare të arritura nga shtetet anëtare për tema të ndryshme.
Organi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila funksionon në bazë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut./prishtinapress