Site icon PrishtinaPress

“Ui ar not problematik gajs…, ui traj tu du agriment…, jesss”

Kjo fjali – që ka mundësi të përfundojë në librat e historisë si njëra prej frazave më idiote, duhet të lexohet me akcent të Kazakistanit. Përveç që të bën të qeshësh, kjo fjali të bën edhe të qash

Mbrëmë kanë biseduar për gjendjen politike në Ballkanin Perëndimor dhe për statusin final të Kosovës presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kancelarja gjermane. Kështu, pak a shumë, raportuan mediat dje. Kështu pak a shumë kanë raportuar mediat edhe në vitet e ‘90-ta, kohë kjo kur në Kosovë gjendeshin mijëra forca policore dhe ushtarake serbe.

Falënderimi për këtë i shkon presidentit Thaçi për talentin e treguar që një ndeshje të fituar, të verifikuar në Gjykatën Ndërkombëtare, ta rikthejë për t’u luajtur prapë. Pra, kjo nuk ishte një ndeshje e fituar vetëm në pjesën e parë dhe që serbët e rikthyen rezultatin në pjesën e dytë. Kjo ishte një ndeshje e përfunduar, mirëpo pas vërejtjeve të bëra nga ekipi fitues, pra Kosova, të mbështetura me duar të hapura edhe nga ekipi humbës, pra Serbia, komisioni disiplinor nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të vendoste për një ndeshje të re.

“Ui ar not probllematik gajs…, ui traj tu du agriment…, jesss”. Kjo fjali – që ka mundësi të përfundojë në librat e historisë si njëra prej frazave më idiote – duhet të lexohet me aksent të Kazakistanit – If you know what I mean.

Pra, presidenti i Kosovës, duke e qortuar Bashkimin Evropian që të mos i konsiderojë Thaçin dhe Vuçiqin si djem problematikë, ose djem çapkënë, ai, tash e disa muaj me radhë, po e lut Perëndimin që t’ia lejojë atij ta arrijë marrëveshjen finale me Serbinë.

Ne shqiptarët e Kosovës e kemi shpenzuar një shekull duke e kërcënuar Perëndimin që nuk bisedojmë me Serbinë pa prezencën e tyre, kurse tash befasisht Thaçi po e bën të kundërtën. Është dashuruar aq shumë në ish-ministrin e informatave të Millosheviqit, aq afër janë, sa atë e thërret në emër, sa kur bisedon me të e vë dorën në gojë që të tjerët të mos mund ta deshifrojnë atë bisedë konfidenciale. I pari simbolik i vendit, po e vë dorën në gojë që Gjermania dhe Britania e Madhe të mos e kuptojnë se çfarë po flet ai me Vuçiqin. Një gjë të tillë nuk e kemi parashikuar në asnjë variant. Vazhdimisht mbi premisën:

“Ui ar not probllematik gajs…, ui traj tu du agriment…, jesss.”

Pas gjithë këtyre zhvillimeve që po ndodhin për dhe rreth Kosovës, ministri sevdalli i Qeverisë serbe, kantautori folklorik Ivica Daçiq, tash po u bën jehonë zhvillimeve të fundit politike. Derisa, Vuçiqi flet për mediat e huaja, Daçiqi i ushqen me informata mediat në Serbi.

“Serbia kurrë nuk ka pasur ambicie që ta rikthejë në gjirin e saj gjithë territorin e Kosovës, por vetëm disa pjesë të saj”, ka thënë ai.

Edhe për këtë një falënderim i veçantë shkon për presidentin Thaçi. Thaçi që dhjetë vjet bisedon me përfaqësuesit e Serbisë në Bruksel, për ta integruar veriun e vendit. Mirëpo, meqë nuk arriti ta integrojë në Kosovë, po arrin ta integrojë në Serbi. Nuk ka qenë aspak e lehtë. Me një zell të jashtëzakonshëm Thaçi arriti ta krijojë një momentum të përshtatshëm politik në Evropë, që kjo e fundit ta pranojë ndarjen e Kosovës. Vazhdimisht mbi premisën që:

“Ui ar not probllematik gajs…, ui traj tu du agriment…, jesss.”

Më fjalë të tjera, ne jemi dëshmitarë të asaj se si një person që gëzon mbështetje minimale popullore, më pak se 20 për qind, me një anglishte shatra-patra arrin të bëhet sensacion ndërkombëtar. Diku sulmo mediat për “fejk njuz”, diku ndonjë intervistë të dyshimtë të Ibrahim Rugovës, diku tjetër bëj një propagandë nacionaliste. Serbëve thuaju që jeni të mirëseardhur në Gjakovë, sepse atje askush nuk mund t’ju ndalë, pastaj vrapo në Gjakovë dhe thuaju nënave të veshura në të zeza tash e 20 vjet, që asnjë serb që ka kryer krime nuk mund të vijë në Gjakovë. Kjo është pak a shumë strategjia e tij.

Se çka fshihet prapa gjithë kësaj shfaqje bizare teatrale, këtë askush nuk mund ta thotë me siguri. Dikush thotë se Thaçi po e bën këtë për të shpëtuar nga ndjekja e Tribunalit Special, kurse dikush tjetër thotë që këtë po e bën për ta fituar një çmim të mjerë Nobel. Mirëpo askush, përveç Kadri Veselit në momente të caktuara, nuk thotë që ai këtë po e bën se është në interes të Kosovës. Vazhdimisht mbi premisën:

“Ui ar not probllematik gajs…, ui traj tu du agriment…, jesss.”

Ajo që tashmë dihet në mënyrë të sigurt është se, me dëshirën tonë, deri në zgjidhjen “e statusit final të Kosovës” Kosova do të konsiderohet, tashmë jo vetëm prej gjysmës së botës, por prej gjithë botës, pra edhe prej shteteve që na kanë njohur, si një çështje e hapur dhe që kërkon kompromis prej të dyja palëve. Deri në momentin që çështja e Kosovës të zgjidhet në mënyrë përfundimtare, askush prej nesh nuk mund të presë njohje të reja të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, e as anëtarësim të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Tash ne jemi, përsëri, një shoqëri që po e pret përfundimin e fatit të saj politik. Sigurisht kantautori i folkut serb, Ivica Daçiq, do të kujdeset që këtë mesazh t’ua shpërndajë të gjitha vendeve që na kanë njohur dhe atyre që nuk na kanë njohur. Ai do t’i tregojë gjithë botës, përmes ambasadave të Serbisë që, me dëshirën e Kosovës, është rihapur statusi final i saj.

“Ui ar not problematik gajs…, ui traj tu du agriment…, jesss.”

Exit mobile version