Site icon PrishtinaPress

“Udhëzuesi për Biznese-Fuqizimi Ekonomik i Gruas”, mundësi e mirë për gratë e interesuara për të hapur biznese në Kosovë

Sot në Prishtinë u bë lansimi i Udhëzuesit online për Biznese www.weekosovo.biz. në kuadër të projektit mbi

Fuqizimin Ekonomik të Gruas, e cila është platforma e parë në vend dhe rajon, ku listohen bizneset të cilat janë në pronësi apo bashkëpronësi të grave. Qëllimi i kësaj platforme është të vë në pah profilet e bizneseve të grave, të ofroj informacione mbi mundësitë për grante, tender, ngjarje të ardhshme, mundësitë të punësimit etj.

Erëza Vela, drejtoreshë e Red Mill Agency, kompania ideatore e këtij projekti, gjatë prezantimit të platformës ndër të tjera theksoi se si rezultat i barrierave tradicionale dhe kulturore, mbi 40 % e grave në vend janë të pa puna. Ajo tha se njëra nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen gratë të cilat dëshirojnë në nisin bizneset e tyre, është pikërisht mungesa e informatave dhe ky Udhëzues për Biznese, përmes ofrimit të informatave mbi ngjarjet e ardhshme, grantet, tenderët, mundësit e punësimit dhe informatave të tjera do të mundësojë përmirësimin e kësaj gjendje. Vela gjithashtu shtoi se kjo platformë, përmes opsionit “Ne Rekomandojmë”, ku çdo muaj do të paraqiten nga tre biznese të ndryshme dhe prezantimit të grave si “role models”, do të shërbej edhe si një mjet për promovim të bizneseve dhe motivim.

Në anën tjetër, menaxherja e projektit Promoting Private Sector, njëkohësisht drejtoreshë e Swiscontact për Kosovë, Sigrid Mejer, tha se pjesëmarrja e grave në biznes në Kosovë është shumë e ulët dhe kjo është pasojë e mungesës së informatave sidomos në vendet rurale, mbi mundësitë që ekzistojnë në të bërit biznes, prandaj një platformë si kjo është e domosdoshme me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së grave në biznes.
Ndërkaq Ministrja për Tregti dhe Industri, Hykmete Bajrami, tha se posedimi i informatave është i një rëndësie të jashtëzakonshme për fuqizimin ekonomik të grave.

“Shpesh herë shumë evente ikin për shkak të mungesës së informatave dhe kjo platformë definitivisht do të mundësoj fuqizimin e grave, pasi krahas informimit mundëson edhe rrjetëzimin e bizneseve. Ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me PPSE, Red Mill Agency dhe partner të tjerë do të mundësojmë përditësimin e vazhdueshëm të informatave,” tha ndër të tjera ministrja Bajrami.

Gazmend Mejzini, kryeshef Ekzekutiv nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës-ARBK, tha se nga tash jo vetëm gratë ndërmarrëse por edhe ato të cilat duan të nisin një biznes kanë një adresë të vetme ku mund të drejtohen.

Mejzini tha se regjistrimi i bizneseve në pronësi të grave është trend në rritje të vazhdueshme, me 19 për qind nga të gjitha bizneset e regjistruara, iniciativa si kjo do të ndikojnë në rritjen e mëtutjeshme të numrit të bizneseve të regjistruara në emër të grave.

Drejtoresha Ekzekutive e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës G7, Lendita Kastrati, vuri theksin te barrierat me të cilat gratë në Kosovë përballen, si qasja financiare, konkurrenca e pabarabartë, ekonomia jo formale dhe korrupsioni.

Udhëzuesi për Biznese Fuqizimi Ekonomik i Gruas është zhvilluar nga Red Mill Agency në partneritet me PPSE, Swisscontact, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe funksionon nën domenin www.weekosovo.biz.

Exit mobile version