Site icon PrishtinaPress

Udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve, KDI: Legjislacioni sekondar s’mund ta tejkalojë ligjin në fuqi

Instituti Demokratik i Kosovës e ka vlerësuar të gabuar zhvendosjen e komunikimit për zgjedhjet në komunat veriore nga Qeveria vetëm në nivel ndërkombëtar, duke anashkaluar diskutimet me serbët lokalë dhe përfaqësuesit e tyre politikë.

KDI ka thënë që për t’i hapur rrugë shtensionimit të plotë, kryetarët aktualë të komunave duhet të shqyrtojnë dorëheqjet nga pozitat e tyre, për t’u mundësuar qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim.

“Dorëheqjet po ashtu mundësojnë një proces të ri zgjedhor në afate më të afërta kohore, pa vonesa procedurale dhe kosto të dyfishtë”, thuhet në njoftimin e institutit.

Njëkohësisht, KDI u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të katër komunave veriore, në veçanti atyre nga radhët e komunitetit serb, si dhe subjekteve politike që përfaqësojnë interesat e tyre, “që të zotohen se do të marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim që dorëheqjet e kryetarëve të mos sjellin një proces të ri por me rezultat të njëjtë”.

“Gjithashtu, KDI rikujton që legjislacioni ekzistues sekondar nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e procedurës për largimin e kryetarëve, meqë nuk janë të përcaktuara afatet procedurale, mënyra e verifikimit të vlefshmërisë së kërkesës për largim, e as modalitetet për zhvillimin e votimit. As iniciativa e MAPL-së për hartimin e një udhëzimi administrativ nuk është e mjaftueshme, meqenëse nevojitet edhe hartimi i akteve nga ana e KQZ-së – si bartëse e procesit të votimit. Megjithatë, legjislacioni sekondar nuk mund të tejkalojë përcaktimet ligjore të parapara me ligjin në fuqi”, ka thënë KDI.

Exit mobile version