0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Udhëtimi pa viza nga 1 janari, Qeveria do të punojë për t’i kryer detyrat që ia kërkoi BE

Kosova duhet të shfrytëzojë muajt e mbetur deri më 1 janar që të përmbushë edhe disa obligime që vijnë krahas liberalizimit të vizave.

Në rregulloren e publikuar në Gazetën Zyrtare, e cila ishte edhe procedura e fundit para hyrjes në fuqi vendimi për viza, thuhet se para datës kur nis zbatimi në mënyrë efektive, Kosova duhet t’i bëjë edhe disa punë. Ajo duhet të nënshkruajë “marrëveshjet e ose aranzhimet e ripranimit, sipas zbatimit, me shtetet anëtare që nuk kanë ende një marrëveshje apo aranzhime të tilla”.

Pas përfundimit të këtyre marrëveshjeve, Kosova duhet t’i zbatojë plotësisht ato marrëveshje ose aranzhime duke respektuar parimin për të mos i kthyer [refugjatët] që parashihet sipas një konvente.

Nga Qeveria e Kosovës për Gazetën Express kanë konfirmuar se kanë filluar punën për të kryer edhe këto detyra.

“Në rregulloren e publikuar nga BE adresohen disa rekomandime. Me shtetet me të cilat aktualisht nuk kemi marrëveshje riatdhesimi do të punohet për ta arritur një të tillë. Kjo nuk e ndryshon faktin që lëvizja e lirë nis nga 1 janari 2024 në të gjithë zonën Schengen”, ka thënë këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu.

Për të eliminuar keqkuptimet dhe për ta shfrytëzuar drejt lirinë e lëvizjes, Bislimi, në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të dokumentit të vizave për Kosovën në Strasburg, u zotua se do të zhvillojë një fushatë vetëdijësuese.

“Ne gjithashtu do të fillojmë fushata informuese për t’u siguruar që ata të jenë të informuar mirë se çfarë është e çfarë nuk është liberalizimi i vizave”, kishte thënë Bislimi.

Por, si do të zhvillohet ky proces?

Në këtë fushatë Kosovën do ta ndihmojë edhe zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, si dhe partnerët e saj, sipas Kadiut.

“Përmes koordinimit ndërinstitucional dhe me mbështetje e bashkëpunim me partnerët e aleatët tanë si dhe zyrën e BE-së në Kosovë, së shpejti Qeveria e Republikës së Kosovës do fillojë fushatën për informim, në prag të liberalizimit të vizave që do fillojë nga 1 janari 2024. Kjo fushatë do jetë e vyeshme për të informuar saktë qytetarët në atë se çfarë është e çfarë nuk është liberalizimi. Do të konsistojë në shpërndarjen e fletushkave informuese anembanë Kosovës, banerave me informata, videove informuese në televizione e rrjete sociale si dhe intervista për të sqaruar çdo detaj në lidhje me këtë proces. Pjesë e tyre do jenë dhe personalitete të njohura, ambasadorë të akredituar e figura të shumta. Fushata do të zhvillohet në muajt para fillimit të lëvizjes së lirë e do të vijojë dhe pas 1 janarit”, ka thënë ai.

Përveç marrëveshjeve me shtete të caktuara, puna tjetër që Kosova duhet ta kryejë do të ketë të bëjë me migrimin.

“Për të siguruar që migrimi të menaxhohet mirë dhe për të siguruar një mjedis të sigurt, Kosova duhet të përpiqet të harmonizojë më tej politikën e saj të vizave me atë të Unionit”, thuhej në raportin e publikuar në Gazetën Zyrtare.

Sipas vendimit të miratuar nga institucionet e Bashkimit Europian, nga 1 janari qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në kufijtë e Unionit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img