Site icon PrishtinaPress

“Udhëtime në Dubai e Maldive”, Prokuroria e Prishtinës: Kjo kompani po mashtron qytetarët

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paralajmëruar qytetarët se një agjenci turistike me emrin “BCD Travel” po mashtron qytetarët me aranzhmane turistike përmes shitjeve të biletave në Turqi, Dubai, Maldive, Egjipt, si dhe përmes shitjes së biletave të fluturimeve në vendet e Evropës

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të mbrojtjes së interesit publik të qytetarëve, ju njofton se agjencia ‘BCD Travel’, me seli dikur në ‘Bregun e Diellit’ në Prishtinë, tani është duke funksionuar online, në rrjetet sociale, me disa persona të dyshuar se në bashkëkryerje po mashtrojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe të vendeve fqinje me aranzhmane turistike në Turqi, Dubai, Maldive, Egjipt, si dhe përmes shitjes së biletave të fluturimeve në vendet e Evropës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria thotë se ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast, ku dyshohet se ky grup i personave ka mashtruar qindra qytetarë, të cilët kanë paguar shuma të konsiderueshme të parave, kinse për sigurimin e vizave në vendet evropiane, ashtu që prokurori i Shtetit është duke vazhduar me trajtimin e rastit në fjalë dhe ndërmarrjes së veprimeve të tjera hetimore.

“Ju sigurojmë se prokurori i Shtetit është duke e trajtuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm këtë rast dhe personat e përfshirë në kryerjen e veprave penale do të ndiqen penalisht, andaj u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët janë të dëmtuar nga kjo agjenci turistike, të bashkëpunojnë me organet e rendit, pasi synimi kryesor është luftimi i suksesshëm i krimit dhe sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe të mos bien pre e mashtrimeve të tilla”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version