Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila po shpalos aktakuzën kundër katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në procesin gjyqësor të filluar sot, ka përsëritur pretendimet e saj për “Ndëmarrje Kriminale të Përbashkët”, një term ky që sipas pikës 35 të aktakuzës përfshin pothuajse tërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Me gjithë përpjekjet e Prokurorisë së Specializuar për të thënë se ky proces është ndaj individëve dhe jo ndaj UÇK-së, ajo demantohet me pikën 35 të aktakuzës – e cila i portretizon si anëtarë të “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së – nga Shtabi i Përgjithshëm, Komandantët dhe Zëvendëskomandantët e Zonave, të Brigadave, të Njësiteve, e deri te ushtarët më të thjeshtë dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së.
Procesi gjyqësor i nisur sot në në Hagë ka prapa vetes dy vjet e gjysmë zvarritjeje e shkelje nga Specialja – e cila është kritikuar sidomos për tentim të shmangies nga baza juridike e funksionimit të saj, për fshehje të provave shfajësuese, për redaktime të shumta, si dhe për bashkëpunim me Serbinë – pasi nga ajo ka pranuar mijëra dosje që synon t’i përdorë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit./PrishtinaPress/