Site icon PrishtinaPress

“Ua mundësuam të gjunjëzoheni para ikonave tona”, Haziri thumba Kurtit për nderimet që po ia bën Rugovës

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka thumbuar kryeministrin Albin Kurti për nderimet që po ia bën ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Këtë Haziri e ka bërë gjatë një fjalimi në 33-vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan.

Në fjalimin e tij nënkryetari i LDK-së tha se ua mundësuan kësaj qeverie gjunjëzimin para ikonave të LDK’së.

“Mësimi i kësaj klase politike që udhëheq me institucione duhet të jetë se ne që shkaktuam procese e realizuam ëndrra, u mundësuam juve që 24 orë, me më të dashurit tuaj, trup-rojet dhe sejmenët, të gjunjëzoheni para veprave tona, ikonave tona, varreve tona dhe të manifestoni me mjetet dhe mekanizmat që lamë trashëgimi. Dikush ka vdekur për këtë ditë, dikush është në burg e dikush në Kuvend të Republikës dhe institucione”, tha Haziri ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:

LDK i dha Republikës formë, besim dhe shpresë

33 vjet sfidë, angazhim e sakrificë deri në sublimen, 33 vjet dhimbje e gëzim për shtet, për Republikë, për pavarësi dhe lirinë tonë.
Mbi të gjitha, respekt deri në gjunjëzim për dëshmorët, heronjtë e martirët e kombit, familjet e tyre, kontribuesit e mëdhenj të LDK-së, mijëra burra e gra që nuk janë në mesin tonë, në krye me themeluesin e Republikës, Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova. Aq shumë kanë dhënë e kanë bërë për Republikën, për këtë ditë të bardhë që ne të gjallët ta shënojmë.

LDK i dha Republikës formë, besim dhe shpresë, për dallim prej partisë në pushtet e cila është fatkeqësi që ua humbi shpresat e njerëzve, duke ua prekur direkt maxhen e çdo qytetari. Nuk ka arritur ta begatojë maxhen, por e ka varfëruar.

Mësimi i kësaj klase politike që udhëheq me institucione duhet të jetë se ne që shkaktuam procese e realizuam ëndrra, u mundësuam juve që 24 orë, me më të dashurit tuaj, trup-rojet dhe sejmenët, të gjunjëzoheni para veprave tona, ikonave tona, varreve tona dhe të manifestoni me mjetet dhe mekanizmat që lamë trashëgimi. Dikush ka vdekur për këtë ditë, dikush është në burg e dikush në Kuvend të Republikës dhe institucione.

Në emrin tuaj, e falënderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen në 33-vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, kryetarin tonë dhe mikun tim, Lumir Abdixhiku, bashkë me deputetë, anëtarë të Kryesisë, udhëheqës të Degëve në Anamoravë, asambleistë lokalë, aktivistë e veprimtarë.

LDK në Gjilan dhe në krejt Kosovën mbetet partia e vlerave që shkaktoi procese të mëdha dhe realizoi ëndrrën shekullore të shqiptarëve për Liri, Pavarësi e Demokraci. Urime 33-vjetori i themelimit. Bashkë drejt rikthimit të madh!

Exit mobile version