Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimin për trajtimin e rastit të 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu, që vdiq të shtunën në Qendrën Klinike Universitare, gjashtë ditë pas rrahjes brutale në Podujevë.
Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit Policor, tha sot për Paparacin se IPK-ja ka nisur hetimin preliminar për të zbardhur rastin.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin prëveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast”, ka thënë Beka.
“Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, ka përfunduar zëdhënësi i IPK-së.
Lulzim Fejzullahu vdiq të shtunën në QKUK, pasi me gjithë trajtimin mjekësor nuk mundi t’u mbijetojë lëndimeve të rënda që i mori më 14 janar.
Pamjet e publikuara në media të dielën tregojnë se 18-vjeçari është goditur brutalisht në kokë me mjete të forta nga dy të miturit, të dyshuar për vrasje.
Megjithatë, një ditë pas sulmit, më 15 janar, Policia e Kosovës ka dhënë një version krejtësisht tjetër për ngjarjen. Ka thënë se i riu është therur me thikë.
Këtë version të policisë e ka demantuar sot Shaqir Uka, Shef i Intensivës në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Uka ka thënë se në trupin e 18-vjeçarit nuk janë evidentuar shenja të shpuarjes me thikë.
“18 vjeçari ka ardhur në repartin tonë pas intervenimit kirurgjik që e ka marrë në Emergjencë, dhe as në raportin tonë po as të Emergjencës nuk evidentohen shenja te shpuarjes me thikë. Në bazë të ngjarjes, 18 vjeçari ka vdekur prej plagëve të marra nga goditja në tru”, ka thënë Uka të hënën.
Dy të mitur, 16 dhe 17-vjeç, dyshohen për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, i cili u varros të dielën në Podujevë.