Mustafa Avcı, i shpëtuar mbrëmë vonë nga rrënojat, për herë të parë puthi vajzën e cila lindi mbrëmjen para se të ndodhte tërmeti.
Mes lotve e gëzimit, gruaja e Avci shtriu mbi gjoksin e bashkëshortit vajzën e tij 12-ditëshe, raporton AA, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Një natë para tërmetit, çifti ndodhej në një spital privat në Antakya të provincës Hatay, ku pritej lindja e foshnjës së tyre. Lindja ndodhi në ora 23:50 më 5 shkurt sipas kohës lokale. Disa orë më vonë, goditi tërmeti i parë, gjatë të cilit mbeti nën rrënoja Mustafa Avcı.
Fatmirësisht, reparti i spitalit ku ndodhej Bilge Avcı bashkë me foshnjën e sapolindur, qëndroi pa u rrëzuar për një kohë, mjaftueshëm që ata të dalin të sigurt nga spitali.
Mbrëmë, 261 orë pas tërmetit shkatërrues, Mustafa Avcı u nxor i gjallë nga rrënojat në një shpëtim që cilësohet si mrekulli. Ai u transferua në një spital në qytetin Mersin, ku në vizitë i erdhën bashkëshortja Bilge dhe foshnja e tyre e lindur disa orë para tërmetit.
Duke menduar se familja e tij kishte vdekur, Mustafa Avcı për Anadolu tha se nuk kishte asnjë shpresë dhe madje nuk bëri asnjë përpjekje për të dalë i gjallë nga rrënojat.
“Është sikur kam lindur sërish”, tha ai.
Sipas të dhënave të fundit, mbi 40 mijë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë. /Reporteri.net/.