Site icon PrishtinaPress

U planifikua të ndërtohet për 40 ditë, QMF jofunksionale që nga viti 2021

Komuna e Podujevës në vitin 2021 kishte filluar procedurat për ndërtimin e një Qendre të Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Dobërdol. Ndërtimi i saj planifikohej të mbaronte pas 40 ditë punë. Ndërtimi u bë, por funksionimi i saj ka ngecur tash e thuajse dy vjet.

Adelina Stublla, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Podujevës, “fajin” e hedh te qeverisja e kaluar, duke theksuar se beson që është një projekt jo i menduar mirë dhe ku nuk është respektuar Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Po e vërtetë që ka kohë që ka filluar të ndërtohet, por kjo është sipas një projekti të kaluar, që besoj jo të menduar mirë, sepse nuk është respektuar Udhëzimi Administrativ i MSH-së, i cili specifikon rrjetin e institucioneve shëndetësore, bazuar në numër banorësh dhe distancë mes objekteve shëndetësore dhe kapaciteteve për resurse humane, dhe kjo krijon vështirësi dhe merr kohë deri në një vendim që nuk varet vetëm nga niveli lokal”, ka thënë Stublla

RTV Dukagjini ka kontaktuar me Valon Demollin, shef i grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) në Podujevë, i cili ka thënë se këta janë mësuar me përgjigje të tilla “20-vjeçari i kaluar”.

“Këta janë mësuar më përgjigje të tilla si 20-vjeçari i kaluar, mirëpo ne si opozitë nuk e kemi ngritur zërin sepse po presim afatet ligjore, të cilat janë deri në fundvit”, është shprehur Demolli.

Dukagjini ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, për të kërkuar më shumë detaje se pse ende kjo QMF nuk është funksionale, por i njëjti nuk është përgjigjur në lidhje me këtë projekt.

Exit mobile version