U paralajmërua ekzekutimi i pagave me kompensim të orëve, Murati: Pagesa bëhet në formë granti
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur sot në interpelancën që është thirrur ndaj tij në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka vazhduar sqarimin e vendimit të Ministrisë së Financave që e publikoi më herët e që tha se sot do të procedojë me ekzekutimin e pagave p mësimdhënësit, por me një kusht meqë planifikon t’i japë rrogat si “paradhënie” për orët e humbura gjatë grevës, për të cilat thotë se duhet t’i zëvendësojnë mësuesit.
Murati tha se duhet të kihet parasysh që edhe mjetet jepen në formë të grantit nga qeveria qendrore.
“Pra edhe mjetet që alokohen dhe dedikohen për financimin e arsimit ne vend, pra komunave u jepen në formë të grantit”.
Murati ka cituar sërish ligjin që lidhet me greva, duke thënë se “s’mund të paguhet dikush pa punuar”. Për këtë, ai tha se duhet parë nëse organizatat buxhetore e respektojnë ligjin.
“Për interpelancë, bëhet fjalë për pagesën e punëtorëve apo stafit që janë apo kanë qenë në grevë. Ligji për Grevat e thekson qartë që përgjatë kohës sa personat ose punëmarrësit janë në grevë, marrëdhënia e punës, pra obligimet nga kontrata e punës që ka të bëjë detyrimi për të punuar, por edhe obligimi për të paguar, pra pezullohet. Me fjalë të tjera s’mund të paguhet dikush pa punuar. Pra, kjo është çështja. Mbi këtë bazë, normalisht që ne duhet të kërkojmë dhe të sigurohemi që organizatat buxhetore e respektojnë ligjin. E kemi bërë dhe do ta bëjmë çdoherë sa herë që e shohim apo vihemi në dijeni që ka bazë për dyshime s’përfillen ligjet dhe ka tendencë që paraja publike të shpenzohet pa qenë në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi”.