Site icon PrishtinaPress

U mbajt video-konferenca e dytë e UEFA-s me 55 anëtaret e saj, FFK zbulon detajet

Mbrëmë (e martë) është mbajtur video-konferenca e dytë e UEFA-s me 55 federatat e saj anëtare, me pjesëmarrjen e Sekretarëve të Përgjithshëm, e ku FFK-në e përfaqësoi Sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu, teksa konferencën e ndoqi edhe presidenti Agim Ademi.

Fillimisht të gjitha federatat anëtare i përshëndeti presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili i falënderoi ato për masat e ndërmarra në luftimin e pandemisë Covid-19 dhe për kujdesin e treguar ndaj komunitetit të futbollit.

Gjatë kësaj video-konference UEFA bëri të qartë se duhet bërë të gjitha përgatitjet për rifillimin e garave, derisa u diskutuan edhe opsionet e ndryshme në lidhje me kalendarin e garave në vazhdim.

Tema e parë e diskutimit ishte zhvillimi i ndeshjeve të Kombëtareve në UEFA Nations League në muajt shtator, tetor dhe nëntor, si dhe ndeshjet e ‘play-off’-it për Kampionatin Evropian. Fillimisht ishte paraparë që ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë dhe ndeshjet e tjera të “play-off”-it të luheshin në shtator, por të gjitha federatat pjesëmarrëse të këtij ‘play-off”-i e shprehën qëndrimin e tyre që ato të luhen në tetor ose nëntor, për çka tashmë i mbetet Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që në mbledhjen që do të mbajë të enjten të del me qëndrimin përfundimtar.

Temë e dytë e diskutimit ishte çështja e rifillimit të kampionateve dhe ndeshjet para-kualifikuese për edicionin e ri në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Me këtë rast, UEFA u dha afat federatave anëtare të saj që kampionatet t’i përfundojnë më së largu deri më 20 korrik. Prandaj, tashmë Federata e Futbollit e Kosovës do të fillojë përgatitjet për rifillimin e garave, por normalisht se për këtë çështje do të ketë konsultime të vazhdueshme me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Sportit.

Gjithsesi, rifillimi i kampionatit të Kosovës, por edhe vendeve tjera të regjionit do të varet nga ecuria e pandemisë Covid-19 dhe gjendja e përgjithshme e shëndetësisë në vend.

FFK do t’i njoftojë klubet me kohë lidhur me vendimin për rifillimin e garave dhe do t’i japë atyre kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur përpara se të rinisin garat.

Gjatë kësaj video-konference është diskutuar edhe çështja e futbollit të femrave, si dhe e grupmoshave U-21, U-19 dhe në futsall, ku shumica e ndeshjeve pritet të shtyhen, por disa do të luhen në kohë të përshtatshme.

U bisedua edhe çështja e afatit kalimtar dhe vazhdimit të kontratave, ku FIFA si kompetente për statusin e lojtarëve sugjeroi fuqishëm vazhdimin e kontratave përtej qershorit, duke i ftuar klubet dhe futbollistet të gjejnë mirëkuptim ndërmjet vete.

Ajo çfarë është me rëndësi për UEFA-n dhe anëtaret e saj është që Liga e Kampion ëve dhe Liga e Evropës të vazhdojnë, pasi janë burimi kryesor i të ardhurave dhe në rast të ndërprerjes atëherë do të rrezikohej e tërë struktura e UEFA-s dhe programi zhvillimor i federatave ‘HatTrick’.

Ndeshjet fillimisht është paraparë të zhvillohen pa praninë e shikuesve dhe më pas varësisht prej rrethanave do të merren vendimet e reja.

Exit mobile version