Avokati Faton Fetahu ka njoftuar se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marrë vendim lidhur me rastin e Kryeinspektorit të Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli dhe Zyrtarit Korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, të cilët janë shkarkuar lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Sipas Fetahut, Komisioni ka vendosur të kthehen në pozitat e tyre me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës.
“Kam kënaqësinë që në cilësi të Përfaqësuesit të Autorizuar të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Shërbimit Korrektues të Kosovës z. Ylber Topalli dhe Zyrtarit Korrktues – ish Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren z. Destan Zogaj, t’ju njoftoj se pranova dy vendime të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, përmes të cilëve, përfundimisht konfirmohet paligjshmëria e vënies para përgjegjësisë disiplinore të tyre e cila rezultoi me shkarkimin arbitrar dhe të paligjshëm nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Përpjekjet e dëshpëruara të Ministrisë së Drejtësisë për të shpikur fajtorët rrethanor të fatkeqësisë së para gjashtë viteve të të paraburgosurit A.D, morën përgjigjen e merituar”, ka shkruar Fetahu.
Ndryshe, Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar në mars të këtij viti se është shkarkuar kryeinspektori i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli.
Sipas njoftimit të MD-së, Topalli është shkarkuar nën dyshimin për shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
“Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit”- thuhet në njoftimin e MD-së.
Po shtu, sipas MD, Topalli ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin:“Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”- thuhet tutje në njoftim.
Lidhur me këtë rast, ishte larguar nga puna edhe Destan Zogaj.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se përfundimisht ka larguar nga puna, z. Burim Buleshkaj, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK dhe z. Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren. Ndaj tyre ishte iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.
Gjatë hetimit dhe rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë e tyre, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka konstatuar se lidhur me rastin në fjalë, B.B dhe D.Z janë përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore”, kishte njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës, para tre muajsh.