Site icon PrishtinaPress

U kërkua shkarkimi i saj, kryesuesja e bordit të ShSKUK-së: Ishte teatër i organizuar

Në Komisionin për Shëndetësi u kërkua dorëheqja e kryetares së bordit të ShSKUK-së, Agreta Gecaj-Gashi.

E kjo e fundit, u është kundërpërgjigjur deputetëve të Komisionit për Shëndetësi në kërkesën e tyre që e njëjta të shkarkohet.

Ajo është shprehur se e gjitha ka qenë vetëm një teatër i sponsorizuar nga grupe të ndryshme të interesit.

“Ajo çka pamë dje ishte një teatër i sponsorizuar nga grupe të ndryshme të interesit, që i bëri bashkë opozitën dhe disa deputetë të pozitës. Ne kemi pas vizita të ndryshme, të vazhdueshme nga komisioni parlamentar për shëndetësi dhe nëse i shihni postimet e tyre, kanë qenë me fjalët më të mira për punën e këtij bordi dhe këtij menaxhmenti. Çka ndryshoi këta tre-katër muajt e fundit”, u shpreh ajo në Infomagazinë.

Gecaj-Gashi foli edhe për ish-ministrin Zemaj, për të cilin tha se nuk ka pasur njohuri për shëndetësi.

“Fillimisht këtë bord e ka emëruar ministri Vitia, në Qeverinë Kurti 1, pas tij ka ardhur Armend Zemaj, një ministër që të gjithë e dimë që s’ka pasur haber për shëndetësi, edhe ka shkuar pa marrë vesh asgjë në këtë drejtim. Ai ka pasur mundësi të na shkarkojë prej ditës së parë. Nuk po kuptoj pse nuk na ka shkarkuar, nëse jemi aq jokompetentë. Ai qenka kompetent për shëndetësi, e ne që punojmë që 25 vjet me tituj akademik e shkencor, nuk qenkemi”, tha Gashi.

Ajo foli edhe për operacionet, për të cilat tha se janë 7 mijë më pak se në vitin 2019 dhe 4 mijë më shumë se në vitin 2020.

“Ky bord ka punuar me përkushtim të plotë. Nuk është e vërtetë që janë 20 mijë operacione më pak, janë 7 mijë më pak se në vitin 2019, 4 mijë më shumë se në vitin 2020. Riorganizimi i stafit. Në vitin 2021 jemi përballë me valët më të ashpra të pandemisë, operacionet janë shtyrë në të gjithë botën”, deklaroi në fund Gecaj-Gashi.

 

Exit mobile version