Prerja ilegale e pyjeve është një dukuri e shpeshtë në Kosovë. Persona të ndryshëm kapen në flagrancë nga zyrtarët e pylltarisë duke prerë dru në pyje, të cilët më pas i zë sherri me të dyshuarit.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Bequk të Vushtrrisë, ku një person është kapur në flagrancë duke prerë dru ilegalisht.
35-vjeçari i është drejtuar rojës së pyllit me fjalë kërcënuese se do ta vrasë, teksa ia ka përmendur edhe një fletëparaqitje që kishte shkuar në adresën e tij.
Përballë kësaj situate, viktima ka njoftuar Policinë, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Kanosje’.