Avokati Arianit Koci, ka folur pasi u sulmua me grusht në kokë nga një person i panjohur.
Fillimisht ai tha se është mirë me shëndet, derisa theksoi se nuk ka ndonjë lëndim.
Siç bën të ditur Koci, dy personat e sulmuan derisa ishin në lëvizje me një motor pa tabela.
Po ashtu, sipas tij, të njëjtit janë të nacionalitetit serb dhe se policia është duke e trajtuar rastin.
“Mirë jam me shëndet. Nuk kam asnjë lëndim. Është e vërtetë që më ka goditë njëri nga motori që ishte pa tabela, sa e kuptova unë ata të dy ishin të nacionalitetit serb dhe policia po merret me rastin”, tha Koci në një përgjigje për Gazetën Insajderi.
Koci u godit me grusht derisa po shëtiste me biçikletë afër parkut Ulpiana, konkretisht në rrugën “Graçnicë-Llapnasell”.
Sipas raportit policor të siguruar nga Klankosova.tv, Koci ka qenë në biçikletë, kur dy persona i janë ofruar me një motor dhe njëri nga ta e ka goditur me grusht në kokë.
Në raport, Koci ka thënë se dy të dyshuarit i ka parë pak para sulmit në një pompë derivatesh, e cila posedon kamera.