Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi priti sot në takim shefin e EULEX-i Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin bisedoi mbi sundimin e ligjit, identifikimin dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta dhe avancimin e bashkëpunimit në funksion të konsolidimit të një sistemi të drejtë ligjor.
Në këtë kontekst, Kelmendi e vlerësoi jashtëzakonisht të domosdoshme mbështetjen dhe ekspertizën e EULEX-it në ngritjen e efikasitetit gjatë trajtimit të rasteve të ndryshme penale.
Po ashtu, u.d. kryeprokurori i Shtetit shprehi gatishmërinë institucionale për t’i adresuar të gjitha rekomandimet që dalin nga raporti monitorues i EULEX-it lidhur me punën e Prokurorit të Shtetit, me këtë rast, ka çmuar lart procesin e monitorimit të rasteve të ndryshme penale, duke ndikuar kështu pozitivisht në avancimin e punës profesionale të prokurorëve të shtetit.
Në fund, të dy bashkëbiseduesit e kanë vlerësuar këtë takim mjaft të dobishëm dhe produktiv, si dhe shprehen gatishmërinë e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit institucional edhe në të ardhmen./Prishtinapress/