Site icon PrishtinaPress

U arrestua në Turqi, nisin procedurat për ekstradimin e Dritan Rexhepit drejt Shqipërisë

Pas kapjes në Turqi, të 43-vjeçarit të shumëkërkuar, Dritan Rexhepi, Zyra Qendrore e Interpol Tiranës dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij, në vendin tonë. Rexhepi u kap si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë.

Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.11.2015, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.


Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 31.01.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”. Gjithashtu, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29.09.2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15.04.2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Exit mobile version