Milun Milenkoviç, i cili u arrestua dje si i dyshuar për organizim të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, do të dalë sot në orën 14:00 para gjykatës.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit do të nis në orën 14:00, konfirmoi për Gazetën Express zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Lajmin për arrestimin e të dyshuarit Milenkoviq e bëri të ditur dje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla tha se Milun Milenkovic- Llune është një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, njoftoi ministri.
Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.