Site icon PrishtinaPress

U akuzua për vjedhje votash, Peci tregon pse s’e ka shkarkuar këshilltarin: Jam duke mbledh informacione përtej gjykatës

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ende nuk e ka shkarkuar këshilltarin e tij politik, Enis Osmanin, i cili së fundmi u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e vitit 2017.

Lidhur me këtë, Peci është arsyetuar në meritokraci, dhe ka shtuar se ende po mbledh informacione për këtë ngjarje, përtej vendimit të gjykatës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Meritokracia ka qenë dhe do të jetë sa të jem unë. E dyta është kjo një ngjarje që unë e kam kuptuar vonë e vitit 2017 në të cilën unë jam duke i mbledhur edhe disa informacione të tjera edhe përtej vendimit të gjykatës”, ka deklaruar Peci në TV1.

 

Tutje, sipas Pecit, Osmani ka thënë se u ka besuar komisionerëve për numërim të votave e nuk ka ndërhyrë vetë.

 

 

Edhe këtë, ministri ka thënë se po e merr parasysh.
 
“Njëra prej pretendimeve të tij është që, si kryesues ka lejuar që komisionerët të bëjnë numërimet brenda partive politike dhe ky nuk ka ndërhy. Për mua është shumë e rëndësishme edhe ky element. Jam në proces të mbledhjes së edhe të informacioneve të tjera, në kuptimin se është shumë e rëndësishme a ndërlidhet edhe me ndërhyrjen e tij personale apo me neglizhencën e mos tërheqjes vërejtjes së gjithë anëtarëve të
komisionit”, tha Peci.

 

“Ndoshta ka qenë puna që iu kam besuar më shumë se që duhet anëtarëve të komisionit, më vjen keq për këtë që ka ndodhur, premtoj se nuk do ta përsëris asnjëherë”, ka deklaruar ai.

 

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Osmani detyrohet që të paguajë shpenzimet e procedurës, 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit.

Ndërsa, dënimin me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 500 euro, i akuzuari obligohet ta paguajë në afat prej 3 muaj nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. /Reporteri.net/.

Exit mobile version